Protesta e opozitës para Kuvendit, arrestohen dy persona, në kërkim një tjetër

schedule08:43 - 14 Shkurt, 2023

schedule 08:43 - 14 Shkurt, 2023

Dy persona që protestuan në tubimin e një dite më parë të opozitës, duke shfaqur sjellje të dhunshme janë vënë në pranga nga policia. Një tjetër është shpallur në kërkim. Sipas burimeve për Abc News, njëri prej të arrestuarve ishte në kërkim për llogari të policisë së Krujës për vepër tjetër penale.

Të arrestuar janë Jakup Stafa dhe Dorison Petoku, të cilët akuzohen për 4 vepra penale: Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik, goditjet për shkak të detyrës, prishja e qetësisë publike si edhe shkelje e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive. Protesta e dytë, e pasuar nga ajo e 11 Shkurtit, u shoqërua me tensione.

Protestuesit u përplasën fizikisht me policinë në përpjekje për të hyrë brenda oborrit të Kuvendit duke çarë edhe kordonin që kishin krijuar për të ruajtur sigurinë. 3 efektivë u lënduan pas përdorimit të mjeteve piroteknike dhe sendeve të forta që u hodhën në drejtim të policisë.

Njoftimi i policisë: 

Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Nr. 1, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në përfundim të veprimeve të para hetimore, të kryera në lidhje me tubimin e zhvilluar në datën 13 shkurt 2023, arrestuan shtetasit:

– J. D., 36 vjeç, banues në Tiranë, të shpallur në kërkim për llogari të Komisariatit të Policisë Krujë dhe D. P., 19 vjeç, banues në Thumanë.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori dhe u procedua në gjendje të lirë, për shkak të moshës, një 16-vjeçar, si dhe u shpall në kërkim shtetasi G. A., 30 vjeç.

Këta shtetas, gjatë tubimit të zhvilluar ditën e djeshme, kanë kryer veprime të kundërligjshme dhe kanë hedhur lëndë piroteknike (flakadanë dhe kapsolla) në drejtim të shërbimeve të Policisë në detyrë. Si pasojë e këtyre veprimeve, janë dëmtuar 2 punonjës policie, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në akte të kundërligjshme, gjatë tubimit të datës 13 shkurt 2023.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!