Sondazh

Lufta në Iran, a rrezikon të nisë Lufta III Botërore?

Loading ... Loading ...
 

Protesta, Berisha “zgjat” afatin e durimit/ PD sërish në shesh më 20 shkurt

schedule23:00 - 10 Shkurt, 2026

schedule 23:00 - 10 Shkurt, 2026

TIRANË- Kilometri i fundit s’ka fund. Protesta opozitare nisi europiane, përfundoi me Molotov e fishekzjarre. Fillimi me zëra të moderuar, poeti i revolucionit Agron Gjekmarkaj, u pasua nga më të votuarit e Tiranës dhe Durrësit, Ilir Alimehmeti dhe Aulon Kalaja.

Në fund gjithmonë flet doktori. Dhe doktori duhet t’u shpjegonte demokratëve metaforën e kilometrit të fundit.

“Fituam një betejë shumë të rëndësishme, por nuk kemi fituar ende luftën. Jemi në kilometrin e fundit, por të mos harrojmë se kilometri i fundit kërkon edhe përpjekjet më të mëdha”, tha ai.



Protesta kishte vetëm një flamur, atë amerikan, në të njëjtin rresht ku qëndronte edhe djali i Fahriut, i sapo kthyer me habere nga SHBA. Kurse tek ura e Lanës, nuk mungonte Salianji, ai nuk nxiton tek kilometri i fundit.

Por Rama kishte ikur, vetëm për pak ditë, në Bruksel. Ndaj dhe nën dritaren e tij, nuk munguan sërish molotovët dhe fishekzjarret, si për të prishur atë pak protestë europiane.

Si festa dhe prishja e saj dukej e organizuar, nga një grup zjarri të maskuarish që fshiheshin brenda turmës së protestuesve.

Shfaqja zgjati pak, dhe shumica e protestuesve u larguan, një pjesë shkuan tek parlamenti, kurse doktori i tradhtoi shpejt, shkoi në seli.

Edhe para parlamentit nuk munguan molotovët e fishekzjarret, për të mos kursyer edhe një operator televizioni që mori flakë ndërsa xhironte.

Në total, u lënduan 16 efektivë policie. Jashtë rrezikut për jetën. Bashkë me ta edhe deputeti i PD, Bledjon Nallbati, i cili sipas pamjeve nga protesta ishte pjesë e grupit të zjarrit që sulmoi policët.

E megjithatë, kaosi i doktorit zgjati vetëm 2 orë nëpër Tiranë. Nga selia e PD, ai akuzoi policët si banditë dhe vlerësoi demokratët si të vetëpërmbajtur.

Për protestën e radhës Berisha ka gjetur një datë simbolike. Përvjetorin e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës.

Kjo datë ka një simbolikë edhe më të thellë. Më 19 shkurt në Uashington do të firmoset marrëveshja për bordin e paqes në Gaza, ku me shumë gjasa kryeministri Rama do të jetë me Presidentin e SHBA, Donald Tramp. Një ditë më vonë, Berisha do të protestojë në Tiranë në bulevard.

Kur të protestojë, Rama me siguri do të jetë në gjumë me orën e Amerikës, ose në avion për Tiranë. Kur të jetë në zyrë, bulevardi do të jetë pastruar. Por beteja për kilometrin e fundit do të vazhdojë. Po për sa kohë? Atë e di vetëm Berisha. Demokratët me gjasë do t’u duhet të presin edhe pak./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!