Prej disa ditësh, minatorët e fabrikës së bakrit në Spaç të Mirditës kanë bllokuar punën duke protestuar për kushte dhe paga më të mira.
Rreth 70 punëtorë bllokuan hyrjen e objektit duke penguar lëvizjen e automjeteve të kompanisë. Për të shmangur tensionet ndërhynë blutë e Mirditës.
Në ndihmë të tyre ishin edhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë.
Protesta u shoqërua edhe me përplasje mes minatorëve dhe forcave të policisë e cila tentoi të hapë rrugën për daljen nga kantieri të drejtuesve të kompanisë Tete Albania.
3 persona u shoqëruan nga policia, ndërsa disa të tjerë u proceduan penalisht.
Minatorët thonë se prej muajsh kanë ngritur shqetësimet për mungesën e sigurisë në galeri dhe për pagat që nuk përputhen me vështirësinë e punës që kryejnë. Ata paralajmërojnë se protesta do të vijojë derisa kërkesat e tyre të merren parasysh.
Kompania “Tete Albania”, me kapital turk, ka reaguar më herët duke mohuar akuzat për shkelje të të drejtave të punëtorëve. Në një deklaratë zyrtare, ajo shprehet se është e gatshme për dialog, por sindikata nuk ka dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm për zhvillimin e takimeve zyrtare.
Këtë të mërkurë ka patur një tjetër tentativë për të ulur në tryezë minatorët dhe kompaninë dhe për të negociuar një marrëveshje që do t’I hapë rrugën nisjes së punës, por nuk është arritur ende asnjë zgjidhje./abcnews.al


