Rama kërcënon punonjësit e Albcontrol: Ndërprisni grevën, frymëzoheni nga Meta e Berisha

schedule13:53 - 7 Prill, 2021

schedule 13:53 - 7 Prill, 2021

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me protestën e kontrollorëve ajrorë të Rinasit, për shkak të së cilës janë bllokuar edhe fluturimet në këtë aeroport. Në një postim në mediat sociale, kryeministri e cilëson protestën e kontrollorëve një sabotim të rëndë të aktivitetit të Aeroportit “Nënë Tereza”, sabotim i cili sipas tij nuk do të tolerohet.

Frymëzuesit e asaj që kreu i qeverisë e cilëson si lëvizje të çartur, janë sipas tij Presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Sipas Ramës, këta të fundit duan mbylljen e aeroportit që në vend të mos vijnë vaksinat.

Gjithashtu, Rama thekson se organizatorët do të kallëzohen penalisht dhe do të përballen me ligjin. Të tjerët, shton Rama, ” o me shtetin, ose me antishtetin për një proces penal për cënimin e sigurisë kombëtare.

REAGIMI

“Sabotimi i rëndë i aktivitetit të Aeroportit “Nënë Tereza” nuk do të tolerohet! Frymëzuesit e kësaj lëvizjeje të çartur çartiste, Saliu që gjuan me gurë digjitalë dhe Iliri, që hedh gurin e markës “Leshko” dhe fsheh dorën, duan mbylljen e aeroportit për të mos ardhur vaksinat!
Organizatorët do të kallzohen penalisht dhe do të përballen me ligjin, që ndalon rreptësisht ndërprerjen e aktivitetit të kullës nga ana e kontrollorëve! Të tjerët duhet të vendosin menjëherë: O me shtetin në punë o me antishtetin në një proces penal për cënim të sigurisë kombëtare!”

Në një konferencë për mediat, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku i quajti veprimet e kontrollorëve të paprecendta ndërsa shtoi se bëhet fjalë për një grusht shteti nga opozita.

“E gjithë kjo është një organizim i mirfilltë politik në një kohë fushate. Sot në Rinas nuk do të vijnë dot vaksinat, që do të vinin pasdite për të vaksinuar shqiptarët.” sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!