Protesta te bashkia, një person në kërkim/ Hodhi molotov drejt godinës, procedohen 10 të tjerë

schedule12:59 - 15 Maj, 2024

schedule 12:59 - 15 Maj, 2024

Pas protestës së dhunshme të Rithemelimit dhe Partisë së Lirisë, policia e Tiranës, ka shpallur në kërkim një person i cili është filmuar në kamerat e sigurisë në bashkinë e Tiranës teksa hedh shishe me molotov, duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë. Ndërkohë 12 militantë të opozitës janë vënë nën hetim në gjendje të lirë.

Konkretisht sipas policisë, Adriana Kalaja, 59 vjeç,  po procedohet në gjendje të lirë për veprën penale “Thirrjet publike për veprime të dhunshme”.

Ndërkohë policia njofton se si të dyshuar për veprën penale ‘Prishja e qetësisë publike’ dhe ‘Shkatërrimi i pronës’ po procedohen penalisht Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, Klevis Balliu I Partisë Demokratike si dhe 9 simpatizantë të tjerë të Rithemilimit dhe partisë së Lirisë.

Policia e shtetit, njofton se materialet hetimore I kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Pavarësisht se pjesëmarrje ishte e pakët, siç mund të shihet edhe nga pamjet me dron, militantët e opozitës hodhën dhjetra shishe me moltov dhe sende të forta në drejtim të bashkisë së Tiranës. Është dashur ndërhyrja e Forcave të Sigurisë Kombëtare për të larguar protestuesit nga perimetri i sigurisë.

Njoftimi i policisë:

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në lidhje me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë protestës së zhvilluar ditën e djeshme, përpara Bashkisë Tiranë, nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në vijim të veprimeve hetimore e procedurale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, procedoi në gjendje të lirë shtetasit:

– 27 vjeç, 19 vjeç, 46 vjeç, 21 vjeç, 68 vjeç, 48 vjeç, 53 vjeç, 34 vjeç, 22 vjeç, 39 vjeç, 34 vjeç, të gjithë banues në Tiranë, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkatërrimi i pronës”;

– 59 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Thirrjet publike për veprime të dhunshme”.

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!