Protesta e dhunshme e opozitës/ Arrestohen dy protestues të tjerë, njëri prej tyre theu masën e ‘arrestit shtëpiak’. 5 nën hetim

schedule10:10 - 9 Tetor, 2024

schedule 10:10 - 9 Tetor, 2024

Dy persona të tjerë, të shpallur në kërkim në lidhje me protestën e dhunshme të opozitës, janë arrestuar nga policia e Tiranës. Të ndaluarit janë Sokol Bushkolaj, 49 vjeç dhe Gentian Tuga, 47 vjeç.

Gazetarja Xhensila Kodra raporton se Bushkolaj rezulton të ketë thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi” të dhënë nga gjykata në muajin qershor në lidhje me protestat e zhvilluara para bashkisë së Tiranës.

49 vjeçari Sokol Bushkolaj akuzohet për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” ndërsa ndaj Gentian Tugës rëndojnë akuzat “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Shkatërrimi i pronës”.

“Deri në këto momente, janë tre të arrestuar në total. Dy prej tyre janë arrestuar gjatë orëve të natës që ishin në kërkim. Njëri rezulton me precedentë të mëparshëm penalë që ka thyer arrestin me shtëpi. Sokol Bushkolaj ishte arrestuar më herët për të njëjtat vepra penale për shkatërrim prone dhe goditje për shkak të detyrës për protestën para bashkisë së Tiranës. 49 vjeçari përballet edhe me një tjetër akuzë, laegimi i të burgosurve nga vendi i qëndrimit, pasi në qershor është arrestuar për protestat para bashkisë, ku gjykata e ka lënë në arrest shtëpiak dhe duket se ka thyer masën duke dalë sërish në protestë. Personi tjëtër është 47 vjeçari Gentian Tuga“, raportoi gazetarja Xhensila Kodra.

Në total numri i të arrestuarve për aktet e dhunës në protestë shkon në tre. Policia njoftoi sot se nën hetim janë vënë edhe pesë persona të tjerë, krahas 3 të tjerëve ditën e djeshme.

Krahas protestuesve të dhunshëm, u proceduan në gjendje të lirë edhe tre organizatorët e protestës, Flamur Noka, Gazment Bardhi dhe Ervin Minarolli. Ata do të hetohen për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”./abcnews.al