Protesta e banorëve të Zall Gjocaj, Administrativja: Po shqyrtojmë kërkesat, jemi shumë të ngarkuar

schedule16:59 - 30 Qershor, 2021

schedule 16:59 - 30 Qershor, 2021

Gjykata Administrative ka reaguar pas protestës së sotme të banorëve të fshatit Zall Gjocaj në Mat përpara këtij institucioni ditën e sotme.

Banorët prej kohësh kanë vijuar me protestat e tyre për të ndaluar ndërtimin e një HEC-i në zonën e tyre, në “Sekë” dhe “Zais”, në Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj, ndërsa çështja është kaluar në Gjykatën Administrative.

Në një deklaratë për mediat, Administrativja sqaron se sqaron se pranë gjykatës janë regjistruar disa çështje me objekt konstatimin e pavlefshmërisë absolute të deklaratave të mjedisit, të urdhrave të Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit dhe të lejeve të ndërtimit e përdorimit të burimeve ujore.

Sipas gjykatës shkak i vonesës për dhënien e një vendimi për çështjen e ngritur nga banorët e Zall Gjocajt është ngarkesa e madhe që kanë gjyqtarët.

“Bëjmë me dije opinionin publik se aktualisht në Gjykatën Administrative të Apelit presin për t’u gjykuar mbi 16.850 çështje gjyqësore nga një trupë gjyqësore efektive e përbërë prej 7 gjyqtarësh, pra një gjyqtar ka përafërsisht një ngarkesë prej rreth 2400 dosjesh gjyqësore në gjykim. Për shkak të kësaj ngarkese, nga ana e trupës gjyqësore të Gjykatës Administrative të Apelit janë ende duke u gjykuar çështjet e regjistruara pranë kësaj gjykate në vitin 2016, ndërkohë që çështjet e përmendura më sipër janë regjistruar për gjykim në vitet 2020 e 2021,” thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Reagimi i plotë:

Sot, në datën 30.6.2021, përpara godinës së Gjykatës Administrative të Apelit është zhvilluar një protestë nga disa persona, për të cilët disa media kanë raportuar se janë banorë të fshatit Zall Gjoçaj, protestë e cila ka patur në fokusin e saj shqyrtimin nga Gjykata Administrative e Apelit të çështjeve të lidhura me kundërshtimin e ndërtimit të HEC-eve në zonën ku ata banojnë, ndërtime të cilat sipas tyre prishin ekosistemin e zonës. Lidhur me sa më sipër, Gjykata Administrative e Apelit, sqaron se pranë Gjykatës janë regjistruar disa çështje me objekt konstatimin e pavlefshmërisë absolute të deklaratave të mjedisit, të urdhrave të Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit dhe të lejeve të ndërtimit e përdorimit të burimeve ujore.

Bëjmë me dije opinionin publik se aktualisht në Gjykatën Administrative të Apelit presin për t’u gjykuar mbi 16.850 çështje gjyqësore nga një trupë gjyqësore efektive e përbërë prej 7 gjyqtarësh, pra një gjyqtar ka përafërsisht një ngarkesë prej rreth 2400 dosjesh gjyqësore në gjykim. Për shkak të kësaj ngarkese, nga ana e trupës gjyqësore të Gjykatës Administrative të Apelit janë ende duke u gjykuar çështjet e regjistruara pranë kësaj gjykate në vitin 2016, ndërkohë që çështjet e përmendura më sipër janë regjistruar për gjykim në vitet 2020 e 2021.

Në kuadër të kësaj ngarkese çështjesh në shqyrtim, në respektim të legjislacionit në fuqi, në çdo rast të paraqitjes së kërkesave për përshpejtim gjykimi nga palët ndërgjyqëse, kërkesa është marrë në shqyrtim dhe gjyqtari relator ka disponuar me vendim lidhur me këto kërkesa. Për çështjet e mësipërme, kërkesat e paraqitura pranë Gjykatës për përshpejtimin e gjykimit janë duke u shqyrtuar nga ana e gjyqtarëve relatorë.

Gjykata Administrative e Apelit, garanton opinionin publik se ka angazhimin maksimal për shqyrtimin e të gjithë çështjeve me paanshmëri, përgjegjësi e profesionalizëm, brenda një afati sa më të shkurtër të mundshëm, në përputhje me kapacitetet njerëzore dhe mundësinë reale të saj, duke kërkuar mirëkuptimin e gjithë aktorëve në përballimin e kësaj situate të vështirë në të cilën ndodhet jo vetëm kjo gjykatë, por i gjithë sistemi i drejtësisë në vendin tonë.

Njëherësh, kërkojmë nga çdo subjekt publik apo privat, që në kuadër të respektimit të parimit kushtetues të garantimit të pavarësisë së gjyqtarëve, të shmangë çdo lloj presioni, ndërhyrjeje apo veprimi tjetër që ndikon negativisht në ushtrimin e veprimtarisë së gjykatës për dhënien e drejtësisë. Çdo sjellje e kundërt shkel parimet e pavarësisë e paanësisë së gjyqtarit dhe është e papranueshme në një shtet të së drejtës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!