Është zhvilluar e qetë, protesta e banorëve të Unazës së Re pasditen e së mërkurës. Një ditë më parë protesta zgjati 3 orë, gjatë së cilave u bllokua lëvizja e automjeteve, çka solli konflikt të protestuesve me policinë e cila ndërhyri për të shpërndarë tubimin e tyre.
Mbërritja e Lulzim Bashës qetësoi situatën e solli largimin e forcave të rendit.
Të mërkurën protesta u zhvillua normalisht. Për rreth dyzet minuta, banorët dhe mbështetësit e tyre nga arti dhe politika, bënë thirrje për rrëzimin e qeverisë Rama dhe anulimin e projektit të Unazës, i cili prek banesat e tyre.
Në shenjë revolte, ata dogjën banderola me foto të kreut të qeverisë, si edhe hodhën shashka. Përfaqësues të opozitës i ftuan banorët t’u bashkohen në protestën e të enjtes para parlamentit.
Banorët e Unazës së Re protestojnë prej tre muajsh e gjysmë kundër prishjes së banesave për shkak të projektit të Unazës së Re./abcnews.al