Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi thotë se gjatë protestës së 8 Janarit 2022, ka njoftuar policinë në orën 12:27 për të ndërhyrë në selinë blu. I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Bardhi u shpreh se atij i ishte lënë si pikë kontakti zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
“Policia një ditë përpara protestës i ka dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike një letër zyrtare ku i thotë nesër një grup qytetarësh kanë thirrur një protestë.
Për çdo çështje që lidhet me zhvillimet në protestë pika e kontaktit në polici është zv/drejtori në Policinë e Shtetit. Në momentin që protesta është kthyer në një protestë masive dhune, në orën 12:27 kam telefonuar zv/drejtorin”, u shpreh Bardhi.
Numri 2 i PD ka treguar se ditën e protestës në selinë e PD ishte një nga 6 drejtorët e Gardës së Republikës, i cili ishte për të mbrojtur Lulzim Bashën.
“Kam njoftuar zv drejtorin e Policisë, e kam telefonuar dhe mbi bazën e kërkesës të disa kolegëve i kam kërkuar që të ndërhynte. Ai ma tha se po njoftonte dhe policia po mbërrinte. Njëkohësisht në seli me mua ishte një nga 6 drejtorët e Gardës së Republikës. Ishte drejtori i mbrojtjes së personaliteteve. Po ashtu dhe drejtori i Gardës njoftoi policinë.
Kam ritelefonuar pas 10 minutash, më pas kam marrë drejtorin e Policisë së Shtetit 4 herë dhe pasi kishin mashtruar delegacionet ndërkombëtar… Pasi kam telefonuar drejtorin e përgjithshëm të policisë, më ka kërkuar që të dërgojë shkresë zyrtare. E kam njoftuar me mesazh dhe kemi bërë njoftim publik. Më pas ka ndërhyrë policia e shtetit”, tha ai.