Protesta dhe mbi 400 të arrestuar në mbështetje të gazetarit

schedule23:45 - 12 Qershor, 2019

schedule 23:45 - 12 Qershor, 2019

Në Rusi kanë vijuar të mërkurën protestat në mbështetje të gazetarit që u arrestua për trafik droge. Policia në Moskë ka arrestuar rreth 400 manifestues, të cilët kërkonin ndëshkimin e agjentëve që kryen arrestimin e Ivan Golunov.

Disa qindra persona janë arrestuar në Moskë, gjatë protestave për ndëshkimin e policëve që arrestuan një gazetar investigativ. Agjentë të policisë u përplasën me protestuesit gjatë marshimit të paautorizuar në mbështetje të Ivan Golunov. Mes personave të arrestuar janë disa gazetarë, si dhe lideri i opozitës Aleksei Navalni.

Gazetari Golunov u lirua ditën e martë pasi akuzat ndaj tij për trafik droge u tërhoqën nga autoritetet pas indinjatës së publikut. Ministri i Brendshëm rus deklaroi se oficerët që kishin marrë pjesë në arrestimin e tij do të pezullohen në kuadër të një hetimi. Stafet e tre gazetave të mëdha ruse kishin dalë më herët në mbështetje të Golunov, një lëvizje e rrallë kjo në shtypin rus.

Sa u takon protestave të së mërkurës, autoritetet deklaruan se mbi 200 persona u arrestuan vetëm në Moskë, ndërkohë që grupet e monitorimit thanë se të arrestuarit ishin mbi 400.

Manifestuesit mbanin parulla dhe kishin veshur bluza me shkrimin “Unë jam Ivan Golunov” dhe akuzuan policinë për sjellje kriminale me arrestimin e reporterit. Mes gazetarëve të arrestuar nga policia është edhe një anëtar i stafit të revistës gjermane “Der Shpigel”./ABC News Albania 24/7