Protesta e djeshme e opozitës përfundoi me 16 efektivë të lënduar, 21 të arrestuar dhe skena dhune të cilat nuk frymëzuan në pjesëmarrje dhe objektiv.
Pedagogia Arseida Gjyli tha për News Line se përdorimi i fëmijëve në protest është një akt i rëndë dhe se janë përdorur në mënyrë të organizuar. Gjyli shtoi më tej se protesta nga hera e fundit nuk ka sjellë një retorikë që frymëzon apo që të prodhoj numra duke shtuar se PD nuk jep rezultatet që do në organizime.
“Është një fakt shumë i rëndë për shoqërinë shqiptare përdorimi i fëmijëve dhe adoleshentëve, të cilët mund ta kenë kaluar moshën e të miturve, por sërish janë në një moshë delikate. Përdorimi i tyre në mënyrë të organizuar për të rritur peshën e protestës dhe për të dëmtuar fëmijë e adoleshentë, si edhe për të shkelur ligjet e vendit dhe ato që mbrohen nga BE, është një precedent që nuk duhet të falet. Fëmijët janë përdorur në mënyrë të organizuar.
Është një përdorim që rrezikon jetët e tyre, pasi janë nxitur të kalojnë kangjellat dhe mbrojtjet e Policisë së Shtetit. Nëse një parti do t’i bëjë ballë organizimit të vet politik, duhet të jenë ata vetë që të dalin në front të protestës. Kjo duhet dënuar në mënyrë definitive.
Protesta nga hera në herë ka pasur përshkallëzim, por edhe një retorikë që nuk frymëzon, nuk prodhon numra, një retorikë që është përsëritje e të njëjtit film. Aktet e dhunës duhet të merren seriozisht, pasi në protestën e radhës çfarë do të presim aty? A e justifikon lufta politike jetën e njerëzve? Nëse do të luajmë me këto limite, kjo e zhbën protestën.
Ka një lëvizje interesante te thirrja e liderit të opozitës, i cili pasi përdori fëmijët tha t’i largojë. Kjo është thirrje pasi është bërë dëmi. PD retorikën e ka të fortë, por në protestë nuk jep rezultatet që duhet të japë, qoftë edhe për shkak të një lidershipi të vjetëruar që nuk zgjon më besueshmëri. Nuk e justifikon më aksionin e vet politik, pasi njerëzit nuk kanë besueshmëri.” / abcnews.al /


