Propozimi i Turqisë për të vrarë qentë endacakë/ Shpërthejnë protestat, protestuesit: Jo njerëzore!

schedule19:01 - 28 Korrik, 2024

schedule 19:01 - 28 Korrik, 2024

Thirrja e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan për vrasjen e qenve të rrugës ka nxitur zemërim që analistët thonë se po kalon vijat politike në të gjithë vendin. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës nga Stambolli Dorian Jones, propozimi po ringjall kujtimet e errëta të së kaluarës së Turqisë. Projekligji i qeverisë që parashikon grumbullimin e miliona qenve endacakë ka çuar në një sërë protestash. Edhe sot kritikë e propozimit dolën në rrugët e Ankarasë duke kërkuar tërheqjen e tij.

Protestat kanë shpërthyer së fundmi në të gjithë Turqinë për shkak të një ligji të propozuar për të grumbulluar miliona qen endacakë. Sipas ligjit, qentë do të vriteshin pas 30 ditësh nëse pronarët e tyre nuk paraqiten apo nuk gjenden pronarë të rinj.

Protestuesja Zulal Kalkandelen thotë se propozimi është jo njerëzor.

“Ata planifikojnë t’i grumbullojnë në strehimore, të cilat ne i quajmë kampe vdekjeje. Prej kohësh është bërë një fushatë për të nxitur urrejtjen ndaj kafshëve endacake. Populli ynë që jeton prej shekujsh me qentë e rrugës, tani po bindet që këto kafshë duhen të zhduken”, thotë për Zërin e Amerikës, protestuesja Zulal Kalkandelen.

Legjislacioni i propozuar ngjall kujtime të një kapitulli të errët në të kaluarën e Stambollit. Në vitin 1910, qentë e rrugës u mblodhën dhe u lanë në një ishull pranë qytetit për të vdekur nga uria.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan i hedh poshtë shqetësimet e kundërshtarëve, duke thënë se kafshët endacake janë bërë një kërcënim për shoqërinë, duke shkaktuar aksidente trafiku dhe duke përhapur sëmundje.

“E vërteta është se një pjesë e madhe e shoqërisë dëshiron që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt dhe rrugët tona të bëhen të sigurta, veçanërisht për fëmijët tanë. Nuk mund ta injorojmë këtë kërkesë”, thotë presidenti Erdogan.

Megjithatë, aktivistët thonë se ka mënyra më njerëzore për të trajtuar shqetësimet e njerëzve.

Avokatja Elcin Cemre Sencan është një nga organizatorët e protestës.

“Ka njerëz që shqetësohen nga këto kafshë, por zgjidhja nuk është t’i vrasim. Studimet kanë treguar se sterilizimi i kafshëve, veçanërisht i qenve, zvogëlon numrin e tyre, si dhe sulmet ndaj njerëzve”, thotë për Zërin e Amerikës zonja Sencan.

Partia e Presidentit Erdogan AK pësoi së fundmi një humbje të madhe në zgjedhjet lokale. Kundërshtarët thonë se zoti Erdogan, me këtë propozim, mund të jetë duke bërë përpjekje për të rifituar përkrahjen e votuesve konservatorë, duke llogaritur se kundërshtimet ndaj legjit për qentë e rrugës do të vijnë kryesisht nga opozita laike.

“Ne i dimë problemet tona; bota i di problemet tona, por ata duan të largojnë vëmendjen duke shfrytëzuar kafshët. Qentë nuk mund të flasin, ne jemi këtu për të qenë zëri i tyre”, thotë për Zërin e Amerikës, Eyup Cicerali.

Një sondazh i fundit thotë se më pak se tre për qind e turqve mbështesin vrasjen e qenve të rrugës, duke treguar se kundërshtimi ndaj propozimit kalon kufijtë politikë dhe fetarë.

Analistët paralajmërojnë se legji për qentë e rrugës, që do të dërgohet në parlament në javët e ardhshme, mund të jetë një veprim i rrezikshëm për Presidentin Erdogan. /voa

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!