Propozimi i Shehit: 9 kërkesat e Gjermanisë të jenë kusht për mazhorancën për zgjidhjen e krizës

schedule21:56 - 19 Shtator, 2019

schedule 21:56 - 19 Shtator, 2019

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi kërkon që opozita e bashkuar, t’i vendosë si kusht qeverisë për zgjidhjen e krizës, 9 kërkesat e Gjermanisë për çeljen e negociatave. Për ABC Neës, Shehi ka deklaruar se opozita nuk ka thirrur protesta, pasi nuk do t’i japë alibi mazhorancës për çeljen e negociatave, ndërkohë që thekson se i gjithë spektri opozitar duhet të punojë për zgjedhje të parakohshme.

Aleati i Partisë Demokratike, Dashamir Shehi do t’i propozojë koalicionit opozitar që në tryezë me mazhorancën të ulen me të gjitha kushtet që Gjermania pritet të vendosë për Shqipërinë për çeljen e negociatave.

I ftuar në studionin e ABC News, Shehi tha se kërkesat e Gjermanisë përmbushin plotësisht kërkesat e opozitës për hetim të krimeve zgjedhore dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Kreu i LZHK-së thekson se opozita në çdo situatë do të pranonte vetëm opsionin e zgjedhjeve të parakohshme dhe largimin e Edi Ramës si kryeministër.

Shehi ka shpjeguar edhe arsyen përse opozita nuk ka thirrur protesta kombëtare, duke theksuar se faturën për një dështim të mundshëm për negociatat duhet ta mbajë vetëm mazhoranca.

Partitë opozitare kanë dakordësuar hartimin e një platformë për daljen nga kriza, të cilën pritet ta bëjnë publike edhe si ofertën  e tyre për mazhorancën, duke kërkuar një tryezë dialogu për zgjidhjen e ngërçit politik. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!