I parashikuar për shqyrtim në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese për ditën e mërkurë, por i anuluar më pas nga Kryesia e Kuvendit ishte drafti i propozuar nga Këshilli i Ministrave “për Korporatën e Investimeve Shqiptare”.
Ky draft-ligj mundëson kijimin e një institucioni të ri, shoqëri aksionere e quajtuar “Korporata e Investimeve Shqiptare”, e cila përmes projekteve të investimit në nivel qëndror, vendor dhe rajonal, mund të përfitojë pronave shtetërore me qëllim kryerjen e investimeve.
Transferimi i pronave shtetërore me qëllim realizimin e projekteve të Korporatës, do të jetë një mënyrë financimi i kësaj shoqërie aksionere sipas projekt-ligjit në fjalë.
Bazuar në projektligj, Korporata vepron si pronar i pronave shtetërore të transferuara tek ajo, transfertë e cila në draft- ligji parashikohet të kryhet me propozim të vetë Korporatës dhe vendim të Këshillit të Ministrave dhe nënkupton kalimin e së drejtës së përdorimit dhe/ose pronësisë së pronave shtetërore nga pushteti qendror ose vendor te Korporata.
Më pas kjo e fundit ka të drejtë të japë pronën shtetërore për përdorim, qira, ta shesë apo ta përdorë si kolateral, bazuar në kritere dhe procedura që përsëri ligji ja ngarkon Këshillit të Minsitrave si Vendim.
Korporata sipas draftit të porpozuar, menaxhon pronat shtetërore, harton projektet e investimit dhe merr përsipër zbatimin e tyre, por njëkoëhsisht analizon, shqyrton dhe rekomandon projekte investimi të paraqitura nga institucione vendase ose të huaja.
Përbërja e Korporatës sa i përket burimeve njerëzore vjen e centralizuar në duart e Ministrisë së Ekonomisë, e cila zgjedh anëtarët e organeve drejtuese të Korporatës.
Bazuar në porpozimin e ndodhur në Kryesinë e Kuvendit, në këtë Korporatë shteti do të përfaqësohet nga ministri për ekonominë, por aksionere mund të jenë edhe institucione financiare ndërkombëtare, forma e pjesëmarrjes së të cilave do të përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave. /abcnews.al

