Pas lirimit nga izolimi në shtëpi, Sali Berisha po rikthen tryezat e diskutimeve në selinë blu, për të bërë dhe premtime, ndërsa zgjedhjet janë jo më shumë se 6 muaj larg. Këtë mbrëmje të hëne, ai doli për t’i bërë oponencën projektbuxhetit që të martën miratohet në Parlament, i sigurt se asnjë prej 34 amendimeve të PD nuk do të pranohet.
“Këto amendamente nuk votohen por ato janë hipoteka jone, premtimi ynë për ti votuar në buxhetin e parë të PD. Për të vendosur në buxhetin e parë të PD, minimumin jetik 200 euro”, tha ai.
Minimumi jetik është kryepropozimi por Berisha foli gjatë dhe për gjendjen e pensionistëve, që janë kthyer në tragetin kryesor të të gjitha forcave politike që do të jenë në garën e 2025.
“Pensionisti shqiptar për shkak të inflacionit, sot me gjithë të ashtuquajturin indeksim, sot ai blen me pensionin e tij 30-40% më pak, se sa blinte me pensionin e tij në vitin 2013. Imagjinoni ju, merr Edi Rama, Bajram Begaj, Altin Dumani, marrin sa 50 gjer në 70 pensionistë, në një shkallë pabarazie ekstreme”, shtoi ish-kryeministri.
Për taksat, propozimet e demokratëve nuk ndryshojnë.
“Ne rikthehemi në parti konservatore, në partinë e taksave të ulëta”
Por ai shkoi më tutje duke premtuar kthimin e pronave. “I rikthehemi rikthimit të pronës, kompensimit të pronës, askush mos të ketë dyshim për këtë. përsëri do të krijojmë fondin e kompensimit të pronarëve”, është shprehur ai.
Paketa e premtimeve përfshinte dhe bujqësinë, fermerët, ndërtimin e rrugëve e rritjen e pagave të ulëta e mesatare, me objektivin e zgjedhjeve të afërta.
“Ne jemi parti jo vetëm në këmbë, por ecim të sigurt drejt fitores. Secili nga ju dhe çdo Shqipëri duhet ta di që PD fiton në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë Berisha.
/abcnews.al/