Propozimet e Bardhit dhe kushti i Palokës, të gjitha pikat që çuan në “vulosjen” e fatit të PD-së

schedule17:46 - 1 Nëntor, 2022

schedule 17:46 - 1 Nëntor, 2022

Edhe pse dukej se do të kishte një bashkim të dy fraksioneve të PD-së për të dalë me një kandidat në zgjedhjet e ardhshme vendore, mesa duket nuk është kështu.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj ka njoftuar pasditen e sotme dështimin e bisedimeve me grupin e Berishës.

Vendimi vjen një ditë pas zbardhjes së 6 propozimeve të bëra nga Gazment Bardhi.

Abc.news.al. publikoi dje propozimin me gjashtë pika që synonte daljen në zgjedhjet lokale me kandidatë të përbashkët.

Mes pikave ishte dhe ngritja e Këshillit Drejtues Politik në nivel qendror dhe në nivel të çdo njësie vendore, me përgjegjësi kryesore krijimin e frymës së bashkëpunimit mes demokratëve dhe garantimin e fitores së Partisë Demokratike.

Bardhi propozoi gjithashtu që përzgjedhja të bëhej me anë të një sistemi pikëzimi për kandidatët, që vjen 50% nga votat e anëtarësisë dhe 50% nga opinion që ka “X” emër te opinioni publik, dalë nga sondazhet.

Por Berisha duke iu përgjigjur propozimit të Bardhit, theksoi mbrëmjen e djeshme se nuk do lëvizin nga Primaret.

PARIMET PËR BASHKËPUNIMIN MES DEMOKRATËVE NË ZGJEDHJET VENDORE TË 14 MAJIT 2023

Nisur nga situata e brendshme e Partisë Demokratike të Shqipërisë, që ka sjell një përplasje opinionesh dhe mendimesh për cështje të ndryshme;

Me synimin e vetëm të unifikimit të cdo zëri opozitar në zgjedhjet lokale dhe përfaqësimin në këto zgjedhje me vetëm një kandidat të përbashkët fitues për kryetar bashkie dhe një liste të unifikuar të kandidatëve të Partisë Demokratike për këshillin bashkiak;

Është rënë dakord sa më poshtë vijon:

1. Ndasitë në mendime dhe qëndrime për çështje të ndryshme brenda Partisë Demokratike nuk duhet të pengojnë bashkëpunimin e demokratëve në nivel lokal për zgjedhjet vendore. Për këtë qëllim, duke respektuar mendimin e cilitdo për zhvillimet dhe çështjet e ndryshme brenda Partisë Demokratike, angazhohemi të krijojmë frymën e nevojshme të bashkëpunimit dhe fitores së zgjedhjeve lokale nga Partia Demokratike, duke ndërprerë dhe dënuar çdo sulm, shpifje apo gjuhe urrejtje ndaj mendimit ndryshe brenda partisë.

2. Ngritjen e Këshillit Drejtues Politik në nivel qendror dhe në nivel të cdo njësie vendore, me përgjegjësi kryesore krijimin e frymës së bashkëpunimit mes demokratëve dhe garantimin e fitores së Partisë Demokratike. Këshilli Drejtues Politik siguron përfaqësimin e barabartë gjithëpërfshirës në nivel qendror dhe lokal, dhe është përgjegjës për të garantuar zbatimin e këtyre parimeve të bashkëpunimit. Përbërja e Këshillit Drejtues Politik në nivel qendror caktohet me mirëkuptim dhe frymë konsensuale.

3. Përzgjedhjen e një kandidati përbashkët fitues që përfaqëson gjithë Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe çdo zë opozitar në njësitë përkatëse vendore. Përzgjedhja e kandidatit të përbashkët fitues për kryetar bashkie bëhet me “sistem pikëzimi” dhe shpallet nga Këshilli Drejtues Politik. Në këtë sistem përfshihen 50 % e pikëve nga votimi sipas parimit “një anëtar / 1 votë” dhe 50 % e pikëve nga “vrojtimi i opinionit të gjerë publik” nëpërmjet sondazheve. Pas konsultimit dhe marrjes së propozimeve nga anëtar të Partisë Demokratike apo flukse të tjera opozitare, kandidatët që përfshihen në procesin e vlerësimit propozohen nga Këshilli Drejtues Politik në nivel vendor dhe miratohen me unanimitet nga Këshilli Drejtues Politik në nivel qendror. Rregullat e detajuara për zbatimin e “sistemit të pikëzimit” përcaktohen me unanimitet në Këshillin Drejtues Politik në nivel qendror brenda një jave nga nënshkrimi i këtij dokumenti. Drejtimi i proceseve në njësitë vendore bëhet me unanimitet nga Këshilli Drejtues Politik në nivel vendor. Në rast mosmarrëveshje Këshilli Drejtues Politik në nivel qendror ushtron “të drejtën e ndëryrjes”.

4. Përzgjedhja e kandidatëve të Partisë Demokratike për anëtar të Këshillave Bashkiak garanton përfaqësimin proporcional të të gjithë anëtarëve të Partisë Demokratike. Përzgjedhja bëhet me unanimitet nga Këshilli Drejtues Politik.

5. Fushata zgjedhore drejtohet nga kandidati për Kryetar Bashkie në cdo njësi vendore, në bashkëpunim me Këshillin Drejtues Politik, që përbën Shtabin e Fushatës Zgjedhore në nivel qendror dhe vendor.

6. Këshillit Drejtues Politik në nivel qendror dhe vendor pas konstituimit të tyre i bashkohen edhe përfaqësues të partive parlamentare të tjera opozitare.

Sakaq, grupi Parlamentar i PD-së, i përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj, thekson se te pala tjetër prevaloi interesi i njëanshëm dhe kushti për të njohur “Statutin” e 11 Dhjetorit.

Mes të tjerash Grupi Parlamentar ka kërkuar që të informohet Kryesia e Partisë Demokratike, për t’i hapur rrugë krijimit të të gjitha kushteve për përgatitjen dhe pjesëmarrjen e Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme vendore.

Kujtojmë se i mandatuar nga grupi i Alibeajt për të vijuar bisedimet ishte Gazmend Bardhi, ndërsa nga pala tjetër Edi Paloka.

DEKLARATË E GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE

Më datë 10 Tetor Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike në mënyrë unanime shprehu vullnetin e plotë dhe të sinqertë për të gjetur format e duhura të bashkëpunimit për zgjedhjet lokale fillimisht duke nisur me të gjithë Partinë Demokratike dhe me çdo faktor opozitar.
 
Kjo mundësi e sinqertë për bashkëpunim, me qëllim bashkimin e çdo zëri opozitar dhe përballja me një kandidat të vetëm të PD dhe opozitës në zgjedhje, në vlerësimin e Grupit Parlamentar të PD, ishte zgjidhja e vetme për tu përballur me regjimin e Edi Ramës në zgjedhjet lokale. 
 
Ne shprehim keqardhjen që në kundërshtim me zotimin publik për “bisedime pa kushte”, prevaloi interesi dhe kushti për të njohur “Statutin” e 11 Dhjetorit, duke minuar në këtë mënyrë bisedimet për të gjetur zgjidhje për zgjedhjet lokale. Anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e Partisë Demokratike, janë të lodhur nga debati “kush është statuti në fuqi i Partisë Demokratike”. Ato kërkojnë zgjidhje për të unifikuar çdo zë opozitar përballë Edi Ramës në zgjedhje lokale. Humbja e kësaj mundësie me kokëfortësi dhe duke injoruar situatën e rëndë që po kalon Partia Demokratike, nuk është në interes të qytetarëve dhe dobëson alternativën e opozitës në zgjedhjet lokale të 14 Majit. 
 
Refuzimi i vazhdueshëm i çdo propozimi të bërë nga ana jonë, përfshirë propozimin final të paraqitur edhe me shkrim, është tregues i mungesës së sinqeritetit dhe vullnetit për të gjetur zgjidhje. Ky refuzim provon paramendimin për të mos gjetur zgjidhje dhe vënien para faktit të kryer të palës tjetër. Kjo bëhet evidente nga fakti që ndërsa palët ishin në bisedime mes tyre, njëra palë vijonte me akte të njëanashme apo me deklarata publike të disa përfaqësuesve politik që shkonin në frymën e nxitjes së dështimit të bisedimeve mes palëve. 
 
Nisur nga kjo situatë, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar të informohet Kryesia e Partisë Demokratike, për ti hapur rrugë krijimit të të gjitha kushteve për përgatitjen dhe pjesëmarrjen e Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme vendore.

/Abcnews.al/ 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!