Propozime për ndryshime në Kodin Rrugor, përgjysmim të gjobave dhe heqjen e posto-blloqeve

schedule15:07 - 23 Nëntor, 2022

schedule 15:07 - 23 Nëntor, 2022

Deputeti i PD Lefter Gështenja, i ftuar në studion e ABC Live me gazetaren Sibora Bitri, ka bërë të ditur propozimet e reja në komisionin parlamentar për veprimtari prodhuese për disa ndryshime të reja në Kodin Rrugor. Propozimet janë paraqitur nga grupi parlamentar i PD sëbashku me dy kolegë të tjerë të tij Flamur Hoxha dhe Helidon Bushati dhe propozimet kanë si qëllim që të lehtësojnë qytetarët.

Një ndër propozimet është ulja e tarifës se gjobave, të cilat sipas deputetit të PD Lefter Gështenja janë shumë të larta, gati 6-fishi i pagës minimale sot në Shqipëri, dhe duhet që Kodi Rrugor të përafrohet me standartet europiane me shumë nene.

Propozime të tjera kanë të bëjnë me parkimet publike, ndërkohë që sot të gjitha parkimet janë me pagesë, si dhe shtyrjen e pagesave të gjobave.

‘Për këtë vit janë vendosur rreth 680 mijë gjoba, një shifër jashtëzakonisht e madhe. Gjobat nuk hidhen në sistem në kohë, çdo qytetar që e paguan gjobën në kohë, gjoba ti përgjysmohet’, tha Gështenja.

Gjithashtu, një propozim tjetër ka të bëjë me shpejtësinë në autostradë, ku në vendet europiane është 130 km në orë ndërkohë që në autostradat shqiptare limiti vazhdon të jetë 110 km për orë.
Në komisionin parlamentar janë miratuar të gjitha propozimet, sigurisht me anë të ri-formulimeve, por dy pika të nxehta nuk janë miratuar, dhe njëra prej të cilave ka të bëjë me posto-blloqet.
‘Dy janë pikat më të nxehta, edhe mazhoranca e pranon këtë fakt, por nuk janë në momentin që ta heqin posto-blloqet. Kemi 30 vjet që nuk kemi hequr policinë në postblloqet në akset rrugore. Në kushte normale nuk kemi arsye që në hyrje apo dalje të një qyteti të kemi postblloqe policie, edhe punonjësit e policisë e kundërshtuan.Po flasim për policinë rrugore, jo për policinë e rendit, e cila është bërë një mankth për përdoruesit e mjeteve, nuk jemi kundra rregullat, por me metoda efikase dhe masa inteligjente’, tha Gështenja.