Pronarët në Tiranë: Qeveria me dy standarde, në bregdet po bëhet nami

schedule16:20 - 24 Qershor, 2021

schedule 16:20 - 24 Qershor, 2021

Nga Ajgena Korbi

Pas bizneseve që operojnë në fushën e turizmit janë baret, restorantet dhe klubet e natës ata që kërkojnë heqjen e orës policore dhe zgjatjen e saj për lejimin e muzikës.

Ata shprehen se janë ndër më të dëmtuarit nga pandemia dhe i kanë dërguar një letër kryeministrit Edi Rama, ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastriliu dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj.

 “Nuk është hera e parë që kemi dërguar kërkesë. Kemi dërguar edhe herë të tjera, por nuk kemi marrë përgjigje. Dhe vazhdojmë të mos marrim përgjigje dhe situata sa vjen edhe përkeqësohet”, tregon ai.

Qeveria sipas përfaqësuesit të Shoqatës së bareve, restoranteve dhe klubeve të natës Flamur Hysejni po vepron me dy standarde.

“Tirana në orën 22:00 është e mbyllur, ndërsa në jug vazhdon festa. Ne qëndrojmë nëpër shtëpia dhe nuk e hapim dot gojën sepse bëhet nami. Këtej tek ne ka Covid, ndërsa në jug bëhet festë”, shprehet ai.

Ulja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në të njëjtin nivel me sektorin e turizmit është një tjetër kërkesë e këtyre bizneseve.

“Pjesë e turizmit jemi edhe ne. Punojmë të premte dhe të shtunë sidomos lokalet e natës. Nuk punojnë 31 ditë, por punojnë 8 ditë në muaj. Ndërsa në vit bëhen diku rreth 40 javë, njësoj sa arrin të bëjë bregdeti në verë”, shprehet më tej ai.

Shoqata e bareve, restoranteve dhe klubeve të natës e konsideron të domosdoshme ndërhyrjen e qeverisë për rimëkëmbjen ekonomike të këtyre bizneseve dhe vijimin e pagesave në arkën e shtetit./abcnews.al/