Pronarët e mjeteve lundruese takojnë drejtues të policisë: Kërkuam arsyen e pezullimit të aktivitetit

schedule18:37 - 9 Gusht, 2022

schedule 18:37 - 9 Gusht, 2022

Pronarët dhe administratorët e motorrave të ujit dhe mjeteve sportive që nuk janë lejuar dalin në det gjatë këtyre ditëve, për shkak se nuk kanë marrë përgjigje nga drejtoritë vendore të policisë kufitare në qytetet bregdetare ku ushtrojnë aktivitetin, janë paraqitur në drejtorinë e përgjithshme të policisë së shtetit.

Ata kërkuan takim me zyrtarë të lartë të policisë, për t’i lejuar të nxjerrin sërish motorat dhe mjetet e tjera në det. Pretendojnë se janë taksa pagues të rregullt dhe respektojnë edhe rregullat e vendosura për lundrimin e mjeteve sportive ujore.

Një grup prej katër personash, u pritën në takim nga drejtori i kufirit dhe migracionit në policinë e shtetit, Sajmir Boshnjaku.

Pas më shumë se dy orë takim, u premtua që situata do të zgjidhet në ditët në vijim, ndërsa policia dhe autoritetet e tjera do të kryejnë verifikime në vendet ku parkohen skafet si dhe për dukumentacionin e tyre.

“I kërkuam arsyen e pezullimit të aktiviteteve dhe na u tha që nga policia kufitare dhe vendore ka një angazhim maksimal, por po kontrollohen vendbazimet sipas dokumentacionit, nëse janë në rregull dhe plotësojnë kriteret për kalimin e mjeteve ujore në pjesën e caktuar. Afati besoj duhet të jetë shumë shpejt, besoj këto 2-3 ditë. Shpresojmë në një zgjidhje të shpejtë të situatës”, thonë ata.

Policia kufitare ka zhvilluar operacione për sekuestrimin e mjeteve që qarkullojnë në det pa dokumentacionin përkatës. Operacionet kanë ardhur pas ngjarjes së rëndë në Potam të Himarës, ku humbi jetën vajza 7-vjeçare pasi u godit me skafin që drejtohej nga ish-efektivi Arjan Tase. /abcnews.al

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!