Partia Demokratike akuzon qeverinë se pas zaptimit të pronave publike ka nisur shtetëzimin e pronave private. Ish-deputetët e PD, Oriola Pampuri dhe Klevis Balliu mbështetën protestën e 4 bizneseve në rrugën e Kavajës, të cilët pretendojnë se janë larguar me forcë nga pronat e tyre, pavarësisht se janë në vijim të një procesi gjyqësor.
Pronarët u shprehën se kanë marrë shpërblime qesharake nga qeveria, ndërkohë që vlera e tregut për metra katron në zonë shkon deri në 5500 euro, duke hedhur dyshime se mbi pronat e tyre do të ndërtohet një pallat.
Ish-deputetja e PD, Oriola Pampuri deklaroi se pronarët e ligjshëm po dhunohen nga qeveria. Sipas Pampurit, vendimi për të nxjerrë pronarët nga bizneset e tyre pa pasur një vendim gjyqësor të formës së prerë është i paprecedentë dhe i ngjashëm me shtetëzimet e pronës në regjimet komuniste./ABC News Albania 24/7