Nga Edi Oga
Pavarësisht pengesave dhe rrugës së gjatë, Luiza Gega mbërriti e para në Evropë! Ajo i la pas të gjitha shtetet e tjera dhe mbërriti e para atje ku flamuri kombëtar ngrihet më lart se të tjerët nën tingujt e himnit që të ngre zemrën peshë!
Luiza i tregoi Evropës që Shqipëria është aty, që shqiptarët janë të fortë, që shqiptarët munden!
Kjo ishte pjesa reale e suksesit të Luizës.
Me të mbërritur në vendin e saj, filloi pjesa e hipokrite e ‘dashurisë’ për Luizën. Pjesa fasadë. Pjesa e përdorimit të suksesit të saj për arsye politike. Pikërisht ata që nuk e kuptuan, nuk e mbështetën kurrë, ata që nuk besuan asnjëherë tek ajo, sot rreken të bëjnë foto me të e t’i shprehin mirënjohjen.
Vetë kryeministri la çdo punë dhe e priti në Kryeministri, aty ku shkon vetëm për të firmisur ‘symbyllazi’ ato që i servirin vartësit. Shpresoj që sot të firmosë një shpërblim dinjitoz për atleten më të shquar të të gjitha kohërave. Shpresoj që të firmosë ndonjë vendim për ndërtimin e ndonjë impianti a strukture ku Luiza dhe të tjerë të gatuajnë sukseset e së ardhmes.
Shpresoj që Luiza të promovohet të paktën sa Noizy, sepse Luiza është modeli i vërtetë që duhet promovuar!
Luiza është modeli i shëndetshëm. Promovoni Luizën!