Prokuroritë e vendit janë përfshirë nga një valë transferimesh dhe emërimesh të përkohshme, si pasojë edhe e shkarkimeve nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Në të dhënat zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, rezulton se 16% e prokurorëve dhe mbi 47% e drejtuesve të Prokurorive, janë të komanduar ose të caktuar përkohësisht.
Prokuroritë më të rëndësishme në vend po drejtohen nga prokurorë të komanduar.
Donika Prela, drejtuese e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Elizabeta Imeraj e Prokurorisë së Tiranës, janë komanduar me firmën e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku. Ndërsa Altin Dumani është komanduar nga KLP si drejtues i Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda.
Ky fenomen, sipas burimeve nga KLP, ngre shqetësime për tejkalim të ligjit dhe cenimin e sigurisë juridike të magjistratëve. Duke iu referuar të dhënave nga ky këshill, 18 nga 38 drejtuesit e prokurorive në Shqipëri janë të komanduar përgjatë viteve 2017-2019.
Ndërsa në total janë 49 prokurorë, që e vazhdojnë detyrën larg vendit të emërimit. 38 prej tyre rezultojnë se gjenden në postet aktuale në tejkalim të afateve ligjore tre mujore, parashikuar në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Shkarkimet nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kanë bërë që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të caktojë drejtues të rinj, por kësaj here pa një afat të caktuar, pasi largimet nga sistemi i drejtësisë po dërgojnë në kolaps shumë institucione ligjzbatuese.
Burimet sqarojnë se, nga 49 komandime që janë aktualisht në fuqi, 38 janë firmosur nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku dhe 11 të tjera nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Arta Marku ka ndjekur praktikën e komandimeve pa afat, duke iu referuar ligjit “Për statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve”, që në disa raste është parë nga prokurorët si masë disiplinore./abcnews.al