Prokuroria thërret Lulzim Bashën si të pandehur

schedule17:46 - 13 Qershor, 2019

schedule 17:46 - 13 Qershor, 2019

Më 17 qershor kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha duhet të paraqitet në Prokurori. Organi i akuzës e ka thirrur si të pandehur për çështjen e lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Prokuroria e Tiranës ka thirrur si të pandehur kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha lidhur me çështjen e lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Basha thuhet në shkresën e Prokurorisë duhet të paraqitet për të dëshmuar  me 17 Qershor ku do i komunikohet zyrtarisht akuza.

Gjithashtu nën hetim janë marrë edhe ish-sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Arben Ristani si dhe ekonomisti i selisë blu Ilir Dervishi.

Nga hetimet e kryera prokuroria thotë se janë evidentuar veprat penale të parashikuara në nenin 190 pika 3 dhe 287 pika c e Kodit Penal.

Neni 190  ka të bëjë me falsifikimin e vulave, stampave ose formularëve dhe në pikën 3 të tij thuhet;

“Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet”.

Ndërsa neni 287 flet për pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale dhe në pikën ç sanksionon;

“kryerjen e veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave”.

Çështja e pagesave për lobim të kryera nga ana e Partisë Demokratike doli në pah nëntorin e vitit 2017  kur firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ plotësoi me informacione shtesë deklarimet e saj të detyruara me ligj për Departamentin e Drejtësisë.

Kompania deklaroi se  ka marrë tre pagesa, e para mban datën 24 mars 2017 dhe është bërë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh, dy pagesat e tjera janë bërë nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë.

Partia Demokratike nga ana e saj nuk i ka pranuar lidhjet me firmën ‘Biniatta Trade LP”./ABC News Albania 24/7