Prokuroria e Tiranës ka rihapur çështjen për vrasjen e Aleks Nikës me datë 21 janar 2011 në qendër të Tiranës gjatë protestës së opozitës së atëhershme.
Aleks Nika ishte një ndër katër demonstruesit që u vranë në atë demonstratë, ku mbetën të plagosur gjithashtu një numër i madh personash. Krahas Nikës, në atë demonstratë u vranë edhe Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.
Nika fillimisht mbeti i plagosur gjatë demonstratës dhe u dërgua me urgjencë në Turqi, ku edhe ndërroi jetë disa ditë më pas.
Gazetari Ermal Vija raporton për abcnews.al duke iu referuar burimeve nga organi i akuzës së hetimet kanë rifilluar prej një muaji dhe është duke u procedura me veprime konkrete për zbardhjen e vrasjes së Nikës.
Krahas këtij të fundit, prokuroria po heton edhe në lidhje me plagosjen e dy personave të tjerë në atë demonstratë kundër qeverisë së ish-kryeministrit Berisha.
Në lidhje me ngjarjet e 21 Janarit u hetuan ish-Shefi i Gardës së Republikës Ndrea Prendi si edhe disa gardistë, të cilët tashmë janë të gjithë të lirë.
Çfarë ndodhi në 21 janar 2011
Demonstrata e 21 Janarit ishte kulmi i një angazhimi të gjatë politik të opozitës së kryesuar nga Edi Rama, e cila që prej vjeshtës së vitit 2009 po vijonte me kauzën kundër qeverisë me moton “Hap kutitë ose largohu!”. Në fillim të janarit 2011 në një emision investigativ u publikua videoja e ish-zv.kryeminstrit Ilir Meta dhe vartësin e tij, të ndjerin Dritan Prifti duke folur për disa koncensione në këmbim të një shumë parash.
Nisur nga kjo video, opozita e kryesuar nga Rama thirri shqiptarët për një demonstratë kundër qeverisë pikërisht më datë 21 janar 201. Demonstrata nisi e dhunshme dhe pati goditje mes pjesëmarrësve dhe policisë, ndërsa gjatë pasditës u përdorën edhe armët e zjarrit në drejtim të demonstruesve nga brenda gardhit të kryeministrisë. Hetimet e atëhershme zbuluan se ishte Garda e Republikës ajo që qëlloi dhe një video e publikuar nga gazetari Artan Hoxha konfirmoi se të paktën njërën prej vrasjeve e kreu Garda e asaj kohe. /abcnews.al