Prokuroria nis hetimet për përleshjet fizike në Kuvendin e Kosovës

schedule19:01 - 13 Korrik, 2023

schedule 19:01 - 13 Korrik, 2023

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet pas përleshjeve fizike në Kuvendin e Kosovës, midis deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe anëtarëve të Qeverisë së Kosovës.

Sipas njoftimit, prokurori i shtetit ka iniciuar hetime për veprën penale “Sulmi” dhe ka autorizuar “policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, përfshirë po ashtu marrjen e deklaratave të palëve të përfshira në këtë rast”.

Gjatë seancës plenare paraditen e së enjtes, teksa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po mbante fjalim, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku hodhi ujë në drejtim të tij, e pastaj në drejtim të zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimit.
Në atë moment, në mbrojtje të të dyve doli ministri i Financave Hekuran Murati, të cilin Lushtaku pastaj e shtyu fizikisht me duar. Bislimi goditi me shishen e tij me ujë deputetin Lushtaku, i cili më pas pati përplasje fizike edhe me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Në të njëjtën kohë, deputeti Hajdar Beqa, goditi ministrin Murati në fytyrë.

Grushte u shkëmbyen mes të dyja palëve.

Nga përleshja, Kurti, i rrethuar me sigurimin dhe ministrat e tij, u shty dhe u përplas në një nga ulëset e Kuvendit pranë foltores.

Policia e Kosovës, e thirrur nga kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, dhe mbrojtja e afërt e kryeministrit, ndërhynë për t’i ndalur përleshjet. Ata qëndruan brenda në sallën e Kuvendit, deri sa kryeministri u largua nga aty.

Deputeti Lushtaku ka paralajmëruar se do të paraqesë padi ndaj Bislimit, Haxhiut dhe Muratit, pas përleshjeve në Kuvend.

Opozita ditëve të fundit, sikurse edhe në këtë seancë, ka qenë kritikuese ndaj pushtetit pasi në mediat në Kosovë kanë dalë përgjime të shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila. Ajo ka pranuar që ka zhvilluar një bisedë me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq.

Milan Radoiçiq është nënkryetar i Listës Serbe, i cili kërkohet nga autoritetet e Kosovës dhe është gjithashtu në listën e zezë të SHBA-së për “përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar”.

Ai kërkohet nga Kosova nën dyshimet se është përfshirë në frikësimin e dëshmitarëve në rastin gjyqësor, të njohur si “Brezovica”.

Radoiçiq përmendet në një aktakuzë edhe si “udhëheqës i grupit kriminal”, i cili planifikoi vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Megjithatë, urdhërarresti për Milan Radoiçiqin u tërhoq në mars të vitit 2021 pa asnjë shpjegim./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!