Prokuroria e Tiranës kërkoi dënimin me 1 vit burg të deputetit Tom Doshi për akuzën e “kallëzimit të rremë”. Për të njëjtën akuzë, u kërkua nga 1 vit burg edhe për ish-deputetin Mark Frroku dhe për Durim Bamin. Ata akuzohen për krijimin e një skenari fals për vrasjen e Doshit në vitin 2015.
Prokuroria e Tiranës kërkoi dënimin me nga një vit burg për deputetin Tom Doshi, ish-deputetin Mark Frroku dhe Durim Bamin për akuzën e “kallëzimit të rremë”.
Pas një ping-pongu nëpër të gjitha shkallët e sistemit gjyqësor, në lidhje me gjykatën kompetente për këtë gjykim, prokuroria lexoi konkluzionet përfundimtare në dosjen penale në ngarkim të treshes Doshi-Frroku-Bami.
Ata akuzohen se në vitin 2015 në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë inskenuar dhe krijuar prova të rreme për një plan eleminimi fizik të deputetit Doshi. Sipas prokurorisë, plani për vrasjen e Doshit nuk ka ekzustuar ndonjëherë por është krijuar në mënyrë të rreme nga të pandehurit me qëllim për të ushtruar ndjekje penale ndaj kryetarit të Kuvendit të kohës, Ilir Meta, aktualisht President i Republikës.
Në pretencë, thuhej se iniciator i skenarit fals ishte Mark Frroku, por roli kryesor në krijimin e provave të rreme ishte Tom Doshi. Një nga provat kryesore të pretendurara si e stisur ishte një USB, ku ndodhej rrëfimi 37 minutësh i Durim Bamit, sikur i ishte premtuar një shumë prej 500 mijë euro për të eliminuar Doshin.
Pasi kërkoi nga një vit burg, prokurorja i tha gjykatës të mbajë parasysh uljen e një të tretës së masës së dënimit, për shkak të gjykimit të shkurtuar, duke kërkuar përfundimisht dënim me nga 8 muaj burg për të pandehurit.
Gjykimi i shkurtuar, shmangu pyetjen e 53 dëshmitarëve të dosjes, mes të cilëve Presidenti Ilir Meta, kryeministri, Edi Rama, ish-kryeministri, Sali Berisha dhe ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri./abcnews.al