Prokuroria për Krimet e Rënda kërkoi një total prej 64 vite burg për Emiliano Shullazin dhe katër të bashkëpandehurit e tij. Pretenca u lexua në një sallë ku nuk ishin prezentë të pandehurit, por të blinduar nga forcat e policisë.
Në një seancë gjyqësore të zhvilluar në kushte ekstreme sigurie, Prokuroria për Krimet e Rënda lexoi të martën pretencën për Emiliano Shullazin dhe katër të bashkëpandehurit e tij. Në sallën ku ishin prezentë vetëm avokatët e të pandehuruve prokurorët kërkuan gjykatës deklarimin fajtor të Shullazit dhe dënimin e tij me 17 vite burg. Fajësi u kërkua edhe për katër të bashkëpandehurit dhe dënime që varionin nga 10 në 15 vite burg. Sipas prokurorisë, gjatë gjykimit rezultoi e provuar se të pandehurit kanë konsumuar veprat penale të “gjobëvënies”, “kanosjes për shkak të detyrës” dhe “grupit të strukturuar kiminal”, vepra të kryera në harkun kohor 2015-2016.
Pretenca u lexua nga grupi i ri i prokurorëve, të caktuar dy javë me parë, kur ra në sy mungesa e titullares Donika Prela, e cila ndodhej në një vizitë pune jashtë vendit. Fakti nuk kaloi jashtë vëmendjes së avokatëve, të cilët nuk e kursyen ironinë apo pretendimet se caktimi i tyre për çështjen ishte jo i ligjshëm. Për gati dy orë me radhë, prokurorët rindërtuan para gjykatës gjithë veprimtarinë kriminale të dyshuar si të kryer nga të pandehurit.
Sipas prokurorisë, të pandehurit kanë përvetësuar një shumë prej gati 540 mijë euro dhe një pjesë prone tek ish-hotel “Vollga” në Durrës, nga biznesmeni Ylvi Beqja duke e kërcënuar atë.
Për organin e hetimit, ata janë autorë të kanosjes së akademikëve Mynyr Koni dhe Dhori Kule. Leximi i pretencës u parapri nga një kërkesë e avokatëve për rihapje të shqyrtimit gjyqësor.
Sipas tyre, prokuroria ka administruar si provë në mënyrë selektive disa përgjime nga një tjetër hetim në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Por kërkesa e tyre për administrim të bisedës së përgjuar në 5 mars 2016 mes Gilmando Danit dhe Ylvi Beqjes u refuzua nga gjykata. Seanca e radhës ku pritet të dëgjohen konkluzionet e mbrojtjes u caktua në 9 tetor./abcnews.al