Në Itali, drejtësia po zhvillon hetime ndaj qeverisë për mënyrën e menaxhimit të emergjencës shëndetësore. Për tre orë rresht, prokuroria e Bergamos ka marrë në pyetje kryeministrin, Giuseppe Conte, lidhur me mospërcaktimin si zona të kuqe të Nembros dhe Alzano Lombardos.
Prokurorët dëshirojnë të kuptojnë nëse i takonte qeverisë apo rajoneve shpallja e zonave të kuqe dhe nëse ka përgjegjësi penale për këtë.
Conte tha pas marrjes në pyetje informoi prokurorët në detaje dhe se ka vepruar gjithmonë bazuar në këshillat e shkencëtarëve dhe ekspertëve të fushës si dhe me ndërgjegje.
Përfshirja e Conte në hetime erdhi pasi një grup qytetarësh u ankuan për vdekjen e të afërmve të tyre për mënyrën sesi qeveria menaxhoi pandeminë e COVID-19. Një grup që përfaqëson të afërmit e njerëzve që kanë humbur jetën nga koronavirusi në Bergamo, – një nga vendet më të goditura nga virusi në Itali, i kërkoi prokurorëve për të hetuar përgjegjësinë e mundshme penale në menaxhimin e pandemisë.
Avokati i këtij grupi tha se, rreth 40 kërkesa janë parashtruar mbi mënyrën e trajtimit të virusit në Lombardi, rajoni verior i cili përfshin edhe Bergamon dhe ku ka pasur numrin më të lartë të viktimave.
Qëllimi i këtij hapi është të identifikohen ata që janë përgjegjës për administrimin e situatës dhe të përcaktohet nëse mund të ngrihen kallëzime penale, thanë avokatët.
Autoritetet rajonale në Lombardi janë përballur me kritika të shumta pasi dështuan të shpallin në kohë “zonat e kuqe”, ata janë kritikuar dhe për lënien hapur të një spitali të madh që u bë qendër e infeksionit në fillim të krizës.
Në pyetje nga prokurorët do të merren edhe të tjerë ministra të qeverisë “Conte”.
Rajoni i Lombardisë vijon të jetë më shqetësuesi, pasi mbi 70% e të infektuarve të rinj u regjistruan aty.
Autoritetet shëndetësore nuk përjashtojnë mundësinë e një vale të dytë infeksioni nga Covid-19, por theksojnë se janë të gatshëm ta përballojnë. Pavarësisht këtij rreziku, Italia do të vazhdojë me planin e saj për rihapjen graduale të ekonomisë së vendit.
Në fazën e tretë do të kthehen në aktivitet kinematë, duke filluar nga 15 qershori, por me norma të rrepta sigurie./abcnews.al