21 janari, Prokuroria pranon paaftësinë

schedule10:22 - 22 Janar, 2024

schedule 10:22 - 22 Janar, 2024

Një ditë pas kritikave të ashpra të kryeministrit, në 13 vjetorin e vrasjeve te 21 janarit, Prokuroria e Tiranës është zgjuar dhe në një reagim zyrtar thotë se është në pritje të letër porosive për të zbardhur vrasjen e Aleks Nikës gjatë protestës së 21 janarit. Sipas prokurorisë, hetuesit kanë kërkuar ndihmën e autoriteteve të huaja, për të përcaktuar se nga cila armë doli predha që i mori jëtën Nikës.

 “Në funksion të hetimeve të zhvilluara prej prokurorit është vendosur të bëhet vlerësimi dhe ekspertimi i provave të sekuestruara gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes dhe kqyrjes së viktimës, duke iu drejtuar autoriteteve kompetente të huaja, prej të cilëve për shkak të sensibilitetit dhe natyrës së çështjes është kërkuar konfidencialitet

Me pak fjalë prokuroria e Tiranës pranon se nuk ka asnjë zhvillim në hetime, që nga hera e fundit që është folur për këtë cështje, një vit më parë. I vetmi lajm: përfshirja si pjesë të hetimeve të vendimit të gjykatës së Strasburgut. Në vendim thuhej se, shteti shqiptar dështoi të kontrollojë protestën dhe përdori forcën nëpërmjet përdorimit të armëve të zjarrit nga ana e punonjësve të Gardës duke shkaktuar vdekjen e 4 protestuesve mes të cilëve edhe Aleks Nikës.

 “Gjatë hetimeve që do të kryhen do të mbahen parasysh edhe aktet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që kanë lidhje me këtë procedim penal”.

Në fakt vendimi i gjykatës së Strasburgut i nëntorit të kaluar flet qartë, se hetimi fokusohet në drejtimin e gabuar, tek ata që shkrepën armët, dhe jo tek ata që dhanë urdhërin e zjarrit.”

Gjykata e Lartë do të shpallë vendimin më 27 shkurt se cila prokurori do të vazhdojë hetimet ajo e Tiranës apo struktura e posaçme anti korrupsion, kjo pas ankesës së bërë nga familjarët e viktimave. Vendimi i strasburgut, i cili kërkon hetim të zinxhirit komandues me shumë gjasë mund të kërkojë përfshirje e SPAK në proces. Nëse do të ndodhë keshtu, do të shtojë më shumë presionin e punës së 20 prokurorëve të posacëm dhe do të ngrejë edhe më shumë pikëpyetje mbi aftësine dhe eficencën e mbi 70 prokurorëve të prokurorisë së Tiranës, të cilët vetëm presin asistencen e huaj, mbi një nga ngjarjet kriminale dhe politike më të rëndësishme të tranzicionit, që pas vrasjes së Azem Hajdarit.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!