Prokurori i dosjeve ‘të nxehta” përballet me vettingun, KPK jep 4 vendime

schedule17:00 - 10 Dhjetor, 2019

schedule 17:00 - 10 Dhjetor, 2019

KPK dha sot 3 vendime konfirmimi për gjyqtarë e prokurorë, si dhe shkarkoi nga detyra gjyqtarin e krimeve të renda Fatri Islamaj.

Sot u zhvillua séanca dëgjimore në shkallën e parë të vettingut edhe për Anton Martinin, Prokuror i Krimeve të Rënda dhe kandidat i Prokurorisë së Posaçme anti-korrupsion.

Anton Martini, prokurori i dosjeve të forta dhe kandidat për SPAK, u përball këtë të martë me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Sipas raportit të dërguar nga ILDKPKI, prokurori Martini, ka bërë deklarim të saktë të pasurisë, në përputhje me ligjin.

KPK ka verifikuar deklarimin e pasurisë së tij, dhe rezulton se ajo është krijuar nga burime të ligjshme. Sipas Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Anton Martini është i përshtatshëm  për vijimin e detyrës.

Sa i takon kriterit të aftësive profesionale, prokurori është i aftë dhe respekton afatet ligjore. Prokurori i komanduar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Anton Martini, gjatë karrierës së tij, të cilën e ka nisur në vitin 1998, ka hetuar një sërë çështjesh të nxehta, si çështjen e “Bandës së Durrësit”, “Bandën e Cërrikut”, hetimin ndaj Arben Frrokut, çështjen e “Bajrave” të Shkodrës, dhe së fundmi kishte nën hetim çështjen e prokurorit Arjan Ndoj.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra gjyqtarin e Apelit të Tiranës, Fatri Islamaj. Gjyqtari nuk mori pjesë në seancën e vendimit, por në sallë ishin miqtë e tij, ish-prokurorja Antoneta Sevdari dhe gjyqtari Erjon Bani.

Sipas relacionit të trupës gjykuese, Islamaj ka rezultuar me deklarim të pasaktë të pasurisë, dhe mungesë burimesh të ligjshme.

KPK konfirmoi në detyrë gjyqtarin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Klodian Kurushi, që rezultoi i pastër në të trija kriteret e rivlerësimit, pasurinë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale.

Shkalla e parë e vettingut konfirmoi në detyrë, Drejtuesen e Prokurorisë së Durrësit Anita Jella, njëherazi kandidate për SPAK. Prokurorja e kaloi vettingun, por KPK ka vendosur që, një çështje të shkoje për procedim disiplinor, dhe dy raste për shënime në vlerësimin profesional.

Dritë jeshile nga vettingu, u dha edhe për Prokurorin e Prokurorisë së Apelit Tiranë, Gent Xholi.

Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Prokurori ishte i pastër në të tre kriteret e rivlerësimit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!