SEANCA/ Prokurori i dosjeve të “nxehta”, para KPK-së: Nuk ka lidhje me njerëz të botës së krimit

schedule10:50 - 14 Tetor, 2019

schedule 10:50 - 14 Tetor, 2019

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi sot seancën dëgjimore për ish-drejtuesin e Prokurorisë për Krime të Rënda Besim Hajdarmataj. Pas hetimit administrativ, ai rezultoi i pastër në të tre kriteret e rivlerësimit. Prokurori Hajdarmataj ka patur në dorë disa dosje të cilësuara të nxehta.

Ish-drejtuesi i Prokurorisë për Krime të Rënda Basim Hajdarmataj, u përballë këtë të Hënë me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Hetimi administrative nga KPK për Hajdarmatajn u bë për të tri kriteret e rivlerësimit, ku rezultoi i pastër.

Sipas raportit të ILDKPKI-së, subjekti ka bërë deklarim të saktë, nuk ka kryer fshehje pasurie dhe nuk është në situatën e konfliktit të interesit. Sipas Relatores Suela Zhegu, Hajdarmataj ka deklaruar dy depozita bankare 5 milionë dhe 1 milionë lekë, ku si burim i krijimit janë kursimet nga paga ndër vite.

KPK tha se deklarimi përputhet me të dhënat e bankës dhe se subjekti ka pasur mundësi financiare për të krijuar këtë shumë parash. KPK relatoi se Prokurori Hajdarmataj ka marrë dhuratë nga vëllai 6 mijë euro dhe 4 mijë paund.

Sipas KPK-së, subjekti paraqiti dokumentet që provojnë se vëllai kishte mundësi financiare t’ia bënte dhuratë. Për pastërtinë e figurës Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka dorëzuar një raport ku ka konstatuar përshtatshmëri për vijimin e detyrës.

Për kriterin e aftësive profesionale në raportin e dorëzuar nga Prokuroria e Përgjithshme thuhet se Prokurori Besim Hajdarmataj ka hetuar 40 procedime dhe nuk ka pasur masa disiplinore. Sipas raportit Hajdarmataj ka aftësi për të drejtuar hetimin dhe është vlerësuar shumë mirë. Ka aftësi të mira drejtuese dhe respekton parashikimet ligjore.

Pranë KPK kanë mbërritur 11 denoncime për prokurorin ku 3 prej tyre janë në mediat online. Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit pas hetimit rezultoi se në këto denoncime nuk ka fakte dhe prova që të faktojnë akuzat.

Në prill KPK ka rihapur hetimin për prokurorin pasi pran Operacionit Ndërkombëtare të Monitorimit kanë mbërritur 3 denoncime anonime ku e akuzonin prokurorin si person që ka lidhje me persona të botës së krimit, konkretisht me shtetasit M.L dhe V. K, që konsiderohen me rrezikshmëri të larte.

Në fund KPK ka konstatuar se Prokurori nuk ka lidhje me këto persona dhe se denoncimet janë të pabazuara në fakte dhe prova. Në përfundim të seancës Hajdarmataj kërkoi konfirmimin në detyrë. Besim Hajdarmataj është prokurori i cili ka drejtuar hetimet për disa nga çështjet më të bujshme.

Hajdarmataj ka firmosur kërkesën për heqjen e mandatit të deputetit për Ish-Ministrin e brendshëm Saimir Tahiri. Prokurori Hajdarmataj ka udhëhequr hetimet për dy dosjet bujshme si 184, ku u përgjuan për shit-blerje votash një sërë zyrtarësh të lartë të partisë Socialiste.

Për publikimin e përgjimeve në gazetën Gjermani BIld zëvendëskryeministri Erion Braçe, akuzoi Prokurorin Hajdarmataj si person që ka publikuar përgjimet. Ka firmosur nisjen e hetimit për dosjen 339, ku u proceduan penalisht edhe dy ish-deputet të mazhorancës aktuale. Besim Hajdarmataj së fundi kandidoi për të qenë pjesë e SPAK, por që KLP nuk e përfshiu në listën përfundimtare me 15 prokurorë.

/abcnews.al