Prokurori Bujar Sheshi ish-sigurims? Gjykata Administrative pranon padinë

schedule19:49 - 12 Prill, 2019

schedule 19:49 - 12 Prill, 2019

Personi për të cilin Autoriteti i Dosjeve deklaroi se prokurori Bujar Sheshi ka qenë ish-sigurims, është një person tjetër me të njëjtin emër. Me këtë argument, avokati i anëtarit të KLP ka dorëzuar në Gjykatën Administrative një padi ndaj Autoritetit të Dosjeve. Identiteti i personit që pretendon ky autoritet është një shtetas me emrin Bujar Shesha.

Gjykata Administrative vendosi të pranojë padinë e anëtarit të KLP Bujar Sheshit ndaj Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, i cili e pati akuzuar se prokurori ka qenë ish-sigurims.

Avokati i anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Julian Mërtiri, në padinë e depozituar ka deklaruar se personi për të cilin flet Autoriteti i Dosjeve, nuk është Bujar Sheshi. Sipas tij, shtetasi për të cilin thuhet se ka qenë bashkëpunëtori i ish-sigurimit është personi me identitetin Bujar Rasim Shesha.

Një element tjetër ku është mbështetur padia e avokatit të Bujar Sheshit është fakti se ai ka qenë prokuror dhe jo hetues. Sipas avokatit Mërtiri, në kohën e diktaturës, hetuesia ka qene organ i veçante nga Sigurimi i Shtetit dhe s’ka pasur lidhje me prokurorinë.

Në kohën e publikimit të dokumentit nga Autoriteti i Dosjeve, Anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë e ka mohuar që ka qenë pjesë e ish-sigurimit të shtetit.

Ndërsa në reagimin e Prokurorisë së Përgjithshme thuhej se Sheshi e kishte plotësuar nën përgjegjësinë e tij personale formularin e deklarimit. Në ligjin për organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë, thuhet se për të qenë anëtar i KLP, kandidati nuk duhet të ketë qenë pjesë e sigurimit të shtetit.

Pas vendimit ka reaguar kryetarja e Autoritetit të Hapjes së Dosjeve, Gentiana Sula e cila ka paralajmëruar se do ta apelonte vendimin e gjykatës Administrative për Bujar Sheshi, duke i qëndruar në këtë mënyrë pretendimit fillestar se Bujar Sheshi ka qenë bashkëpunëtor i ish-sigurimit të Shtetit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!