Në një konferencë të përbashkët për shtyp, gjatë ditës së sotme prokuroria e Tiranës dhe drejtuesit e policisë së shtetit dhanë disa detaje nga hetimi për tërmetin e datës 26 nëntor.
Sipas prokurorëve janë gjetur një sërë shkeljesh nga ana e ndërtuesve dhe zbatuesve të projekteve ndërtuese por jo vetëm. Prokurorët theksuan se në disa raste është konstatuar se mungon edhe leja e objektit dhënë nga njësia administrative.
Prokurorët u treguan të kujdesshëm për të treguar detaje të tjera nga hetimi, ata theksuan se hetimi ende vazhdon.
“Mungojnë studimet sizmiologjike, të cilat për një kategori ndërtesash mbi 7 kate është akt i domosdoshëm. Mungojnë oponencat teknike për administratorët e të cilëve janë lëshuar edhe urdhra ndalimi, mungojnë procesverbale të përfundimit të karabinave, të objektit. Në disa dosje mungojnë aktet e konstatimeve nga zyrat urbanistike, në komunat Farkë dhe Kashar, për të legalizuar mungojnë aktet e qëndrueshmërisë. Këto shkelje lidhen me veprat penale të shpërdorimit me detyrën. Ka mangësi lidhur me aktet e kolaudimit të objekteve. Ka mangësi edhe në aktet e marrjes në dorëzim të shesheve të ndërtimit, procesverbali i gërmimit, betonimit, të lidhjes së hekurit, të provave për betonin dhe hekurin, certifikatat e cilësisë së punimeve. Në disa raste mungon edhe leja e objektit dhënë nga njësia administrative“, thanë prokurorët e çështjes.
Ndërkohë nën akuzë, janë vendosur edhe ata persona, të cilët kanë ndërtuar në mënyrë të paligjshme, shtesa të objekteve, të cilat kanë sjellë dobësimin e strukturës mbajtëse të objekteve.
Ndërkohë të pyetur nga gazetarja e ABC News, Glidona Daci se nëse në bazë të hetimit, a ka patur raste, ku ka rezultuar se janë dëmtuar banesa nga tërmeti i 21 shtatorit, dhe më pas, edhe nga ai i 26 nëntorit, çfarë masash ishin marrë, prokurorja Imeraj tha
“Edhe në këtë drejtim hetimi vazhdon, dhe është objekt i hetimit edhe një situatë e tillë”./abcnews.al