Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së ka sulmuar qeverinë Rama. Sipas tij, Shqipëria sot në duart e krimit dhe kjo faktohet nga ngjarjet e fundit kriminale të ndodhura në vendin tonë. Më tej ai u ndal te dëshmia e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani. Ish-kryeministri shtoi se dëshmitë e tij faktojnë lidhjet e bandave kriminale me qeverinë.
Berisha: Sot zhvillimet në këtë vend tejkalojnë çdolloj imagjinate. Sot Shqipëria është tërësisht në duart e krimit. Vetëm ngjarjet e javës së fundit tregojnë se në Shkodër krimi dhe policia janë një dhe se krimi godet në çdo skaj të këtij qyteti, sikundër në çdo skaj të këtij vendi. Dëshmitë e Dumanit, vrasësit serial të bandave të qeverisë të cilat do të bëhen publike, faktojë lidhjet e këtyre bandave në nivelet më të larta të qeverisjes së sotme, faktojnë dominimin e tyre mbi shtetin mafioz. Në Shqipëri ministrat, drejtorët, prokurorët dhe gjykatësit rezultojnë skllevër të krimit.
Berisha shtoi se shqiptarët sot kërkojnë nga Partia Demokratike e Shqipërisë që t’i mbrojë ata dhe interesin e tyre kombëtar.
Berisha: Edi Rama po thur me Vuçiç plane të kobshme për Kosovën dhe shqiptarët në Kosovë. Të refuzosh dënimin e gjenocidit serb në Kosovë do të thotë si një antishqiptar të vrasësh për së dyti, të përdhunosh, të kryesh ato barbari që janë në nivel gjenocidi edhe një herë ndaj shqiptarëve të Kosovës. Sot shqiptarët kudo që ndodhen, sytë mendje, zemrën e kanë të veprimi i PD dhe qëndrimi i saj. Ata kërkojnë nga ne të jemi sot më në këmbë se kurrë. Të mos pranojmë më kurrë këtë plaçkitje makabre, këtë plaçkitje që i bëhet qytetarëve me bordet e Edi Ramës. Ata kërkojnë që ne t’i mbrojmë ata, kërkojnë nga ne t’i dalim zot interesit kombëtar, t’i dalim zot vendit dhe kryeqytetit.
Berisha shtoi se ka një thirrje për çdo shqiptar, për t’i dalë zot interesit kombëtar. Sipas tij, ky interes nuk është mbrojtur dhe për këtë arsye Shqipëria është rrokullisur dhe rrokulliset çdo ditë. Sipas tij, në parti duhet të fillojë një debat për të gjitha këto zhvillime dhe partia duhet të dalë në fushë betejë./abcnews.al/