TIRANË– Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në konferencën rajonale ku u diskutua revolucioni digjital si fuqi e re e mirëqeverisjes, u shpreh se inteligjenca artificiale është tashmë një risi, të cilën do duhet ta implementojmë.
Ai theksoi se inteligjenca artificiale duhet të shtrihet në shumë sektorë, përfshirë dhe prokurimet publike.
Sipas tij, gjatë mandatit të katërt të PS, me anë të inteligjencës artificiale rreth 90% e procesit do të realizohet pa dorën e njeriut, por falë teknologjisë dhe inteligjencës artificiale.
Eksperti për teknologjitë dhe informacionin, Erion Nako, i ftuar në “Money Report” theksoi se kompani të fuqishme kanë nisur ta bëjnë pjesë të përditshmërisë së tyre risinë, që ofron inteligjenca artificiale.
Ai pohoi se përdorimi i inteligjencës artificiale në prokurimet publike do eliminojë korrupsionin, por kushti shtoi ai, është që këto makineri do duhet të njohin gjuhën shqipe në nivele të larta.
“Kompani të mëdha po përdorin inteligjencën artificiale. Ka marzh gabimi, sigurisht. Në saktësi, modelet janë në nivelin nga 95-99 %, ajo që është e vështirë është leximi dhe mësimi i gjuhës shqipe. Pra, inteligjenca artificiale (IA) duhet që të arrijë të lexojë, duhet të mësojë legjislacionin dhe VKM-të, që përcaktojnë marrëdhëniet mes institucioneve”, tha ai.
Gjatë diskutimit, eksperti theksoi se disa prej institucioneve në Shqipëri mund të shtojnë shkallën e optimizimit, ndërsa përmendi këtu shërbimet e Kadastrës dhe të Postës Shqiptare.
“Kadastra mund të optimizohet, Posta Shqiptare, referenca doganore. Nuk është ndonjë shkencë, merret informacioni lexohet, kërkohet, përpunohet dhe kthehet përgjigje më shpejt. Na duhet të transformojë edhe pjesën e edukimit. Njerëzit nuk duhet t’i lëmë në rrugë”, tha ai./abcnews.al


