Institucionet publike do të kenë të integruar në marrjen e shërbimeve të tyre, atëherë kur ka vend, parimet e mbrojtjes së mjedisit me një kategori që njihet si prokurimet e gjelbra.
Aplikimi i prokurimeve të gjelbra synon që të lehtësojë blerjen e alternativave të parapëlqyera mjedisore sa i përket mallrave, shërbimeve dhe punimeve duke përfshirë kritere, kushte, tipare, kërkesa që prej fazave fillestare të procesit e deri në fazën e zbatimit të kontratës.
Agjencia e Prokurimit Publik publikoi udhërrëfyesin dhe metodologjinë e zbatimit të prokurimeve të gjelbra në Shqipëri e cila do të ndihmojë autoritetet kontraktore gjatë procesit.
Këto dokumente përcaktojnë se përkufizimi prokurim i gjelbër(PPGJ) është “procesi me anë të të cilit autoritetet/entet kontraktore kërkojnë të prokurojnë mallra, shërbime dhe punime me ndikim më të ulët mjedisor gjatë të gjithë ciklit të tyre të jetës, krahasuar me mallrat, shërbimet dhe punimet me të njëjtat funksione parësore që do të prokuroheshin me kërkesa të tjera”.
Për autoritetet kontraktojë futja e kësaj praktikë do të thotë studim të detajuar paraprak të tregut përpara nisjes, në mënyrë që të bëhet përcaktimi i disponueshmërisë, kostove, ndërlikimeve praktike të alternativave me ndikim më të ulët në mjedis, si dhe identifikimi i furnizuesve të mundshëm, veçanërisht për prokurimet e mallrave apo shërbimeve novatore.
Po kështu në fazën e përcaktimit të objektit të kontratës udhëzuesi përcakton se autoritetet/entet kontraktore që zbatojnë PPGJ-në duhet të përcaktojnë objektin e kontratës duke iu referuar përshkrimit të mallit, shërbimit apo punimeve, përfshirë edhe kriteret më të rëndësishme të gjelbra, ose duke përfshirë një përkufizim që lidhet me funksionin ose performancën e kontratës së gjelbër përkatëse. Metodologjia udhëzuese shoqëruese e cila është bërë publike, për PPGJ-të ofron shembuj ilustrues për përcaktimin e objektit të kontratës nga ana e autoriteteve/enteve kontraktore.
Edhe lidhur me specifikimet teknike, institucionet gjatë hartimit me qëllim zbatimin e PPGJ-ve, përcaktojnë dhe zbatojnë specifikime teknike që përshkruajnë tiparet dhe kriteret e gjelbra duke iu referuar sistemeve, standardeve dhe karakteristikave teknike që janë të përshkruara./Monitor