Projektligji për studentët e mjekësisë/ Juristi: Praktikë që ndiqet edhe nga vendet e tjera

schedule21:57 - 12 Korrik, 2023

schedule 21:57 - 12 Korrik, 2023

Maturantët që do të zgjedhin të studiojnë për mjekësi të përgjithshme do të duhet të punojnë pesë vite në vend pas përfundimit të studimeve për t’u pajisur me diplomë. Projektligji i qeverisë do të kalojë me procedurë të përshpejtuar në Parlament për të hyrë në fuqi prej këtij viti akademik.

Ky projektligj, i cili është kundërshtuar nga studentët, ishte temë diskutimi mbrëmjen e sotme në emisionin “Bardh a Zi”. Juristi Jordan Daci tha se projekligji nuk është antikushtetues ndërsa shtoi se një praktikë e tillë është ndjekur edhe nga vende si Norvegjia, Suedia, Belgjika etj.

Daci tha se kjo praktikë është ndjekur edhe me mësuesit apo juristët në këto vende dhe se sipas tij, janë politika që shteti ndërmerr për të bërë shpërndarje të shërbimeve jetike në zonat ku ata mungojnë.

“Sipas gjykatës evropiane, këto hyjnë tek detyrimet që individi ka ndaj shoqërisë. Projektligji është kuptuar gabim. Duhet të kemi parasysh se mjekët, dentistët, mësuesit janë profresione të rregulluara që domethënë nuk janë profesione të lira dhe vendos se çfarë do. Shteti vendos se ku ka nevojë të shkosh, ai hap vendin e punës filan vend”, tha juristi.

Sipas sociologut Fatos Tarifa, këto masa shtrënguese nuk mund t’i mbajnë mjekët në vend. “Është rrezik real. Këtej e tutje, shumë maturantë mund të aplikojnë nëpër universite privat ose mund të ikin të kryejnë studimet jashtë vendit.“, u shpreh sociologu në studion e “Bardh a Zi”.

Ndërkohë për gazetarin Bardhi Sejdarasi, ky projektligj sjell përfitime duke marrë parasysh kostot me të cilat studiojnë studentët e mjekësisë së përgjithshme./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!