Projektligji për KPM në Kosovë/ Demaj: Ditë e zezë, qeveria Kurti po e përdor si disiplinim për mediat që nuk janë në një linjë me të

schedule16:23 - 12 Korrik, 2024

schedule 16:23 - 12 Korrik, 2024

Me 59 vota për dhe dy abstenime Parlamenti i Kosovës miratoi të enjten në lexim të dytë projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, mes kundërshtimeve të opozitës që bojkotoi seancën, si dhe të Bashkimit Evropian, shoqatave të gazetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile.

Lidhur me këtë ka folur në një lidhje me Skype për “Ballkan Update”, gazetarja Naile Demaj nga Shoqata e Gazetarëve, duke e konsideruar një ditë të zezë për lirinë e medias.

Demaj ka theksuar se qeveria e Albin Kurtit po përdor këtë mjet si disiplinim për mediat që nuk janë në një linjë me politikat e saj.

 “Ne kemi shfaq dhe dje pakënaqësinë, kur është miratuar ky ligj, por nuk ka qene vetëm dita e djeshme kur kemi shfaqur shqetësimin, por në vazhdimësi kemi bërë thirrje dhe kemi dalë me deklarata të shumta.

Të mos harrojmë një fakt shumë të rëndësishëm, organizatat ndërkombëtare në Kosovë, duke përfshirë dhe përfaqësues të ambasadave këtu dhe ambasadorë kanë pasur reagime të shumta, për faktin e kanë quajtur dhe ditë të zezë për lirinë e medias. Ne po e shohim si një mënyrë tjetër, ku qeveria po synon të disiplinojë dhe të mbajë në kontroll mediat në Kosovë, duke i futur mediat online nën ombrellën e Komisionit të Pavarur të Mediave, duke i vendosur gjoba tepër të larta për to deri në 14 mijë euro. Besoj që në Kosovë dhe mbase në secilin vend, një gjobë prej 14 mijë eurosh për një medium online, në rastin konkret një portal, nënkupton falimentim. Rrjedhimisht, ky mund të përdoret si një farë mjeti apo disiplinim të mediave që nuk janë në një linjë me politikat qeverisëse”, tha gazetarja./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!