Projekti “Smart City” merr jetë, Balla firmos marrëveshjen në Abu Dhabi

schedule17:46 - 8 Maj, 2024

schedule 17:46 - 8 Maj, 2024

Pas firmosjes së marrëveshjes nga Ministri i Brendshëm Taulant Balla në Abu Dhabi, për zhvillimin e projektit “Smart City” në disa qytete të Shqipërisë, në Tiranë ishin sot inxhinierë, drejtues të projektit, për të parë nga afër detajet dhe vijuar me procesin e zbatimit. Projekti ka qëllim rritjen e sigurisë në komunitet, mbrojtjen e jetës, pronës private si dhe monitorimin e trafikut rrugor. Kjo realizohet nëpërmjet një sistemi gjithëpërfshirës zgjidhjes teknologjike.

“Unë shkova dhe vizitova qendrën tuaj në Abu Dhabi dhe kjo është një ndër arsyet se iu kërkova të vini këtu. Kemi 90 kamera sigurie në total, kështu që plani për të pasur kamera dhe ideja e projektit është që të kemi të paktën mbi 1000 kamera sigurie. Kamerat nuk do të monitorohen vetëm me njerëzit, por edhe me inteligjencë artificiale. Pra është vetë kamera e cila të tregon se ku është ky incident që lidhet me përdorimin e rripit, ose lëvizje të pakontrolluara, që mund të shkaktojnë aksidente rrugore, pra i kap vetë kamera dhe nuk do të kemi nevojë t’i shikojmë, pasi 1000 kamera nuk do të kenë 1000 veta që do t’i kontrollojnë. Edhe radarët do të jenë të gjithë të ndërlidhur në këtë sistem, pra të gjitha do të jenë bashkë, përfshirë edhe kamerat e trupit”, tha Ministri gjatë bisedës me inxhinierët, teksa vizituan sallën operative të Tiranës.

“Kamerat e qytetit, të policisë, të trafikut dhe radarët do të jenë të ndërlidhura në një sistem online”, shpjegoi specialisti i fushës.

“Kamerat e supermarketeve, stadiumeve gjithashtu do të jenë të ndërlidhura. Pjesa e Paketës së Sigurisë në Shkolla, ku rrugët pranë shkollave do të jenë të monitoruara me kamera të cilat matin shpejtësinë e mjeteve që kalojnë edhe të çdo autobusi apo mikrobusi që shkojnë në shkollë. Kështu që kemi diçka dhe mund të gjurmohet targa, pra nëse dikush po ecën dhe makina ecën me shpejtësi, sistemi e kap menjëherë dhe ne ia çojmë gjobën direkt makinës”, informoi Balla.

Për qytetarët, projekti parashikon aksesin në një aplikacion që përdoret në telefonat inteligjentë, ku mund të shikojnë me foto e video shkeljen.

“Tashmë kemi në sistemin e-Albania, kur shkel një nga rregullat, menjëherë të vjen njoftimi në mezash në disa sekonda praktikisht. Qytetari duhet të japë dakordësinë për përdorimin e numrit të tij celular, por duhet të bëjmë disa përmirësime në çastin kur regjistron një mjet, ai duhet të linkohet me një numër telefoni celular. Në rast se duam të gjejmë një mjet, thjesht fusim numrin e tij në sistem dhe e gjejmë përnjëherë”, sqaroi Ministri.

Pas vizitës në Abu Dhabi, Balla tha se Emiratet e Bashkuara Arabe janë shembulli më i mirë i ekselencës dhe standardit të lartë të sigurisë sa i përket monitorimit të trafikut dhe sigurisë publike.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!