Projekti për shkollën e drejtorëve, Rama: Sfida jonë fuqizimi i dijes

schedule09:57 - 4 Tetor, 2018

schedule 09:57 - 4 Tetor, 2018

“Kush di më shumë ka më shumë, kush di më pak ka më pak”. Me këto fjalë e nisi prezantimin e projektit të qeverisë për shkollën e drejtorëve Kryeministri Edi Rama. Duke marrë shembullin e Izraelit, që te dija ka gjetur gjithë pasurinë e vet, Rama tha se baza e dijes është shkolla.

“Unë bëj shpesh krahasimin mes Shqipërisë e Izraelit. Izraeli nuk ka ujë, kurse Shqipëria është vendi i dytë më i pasur me ujë, por Izraeli ka sistemin më ekselent të vaditjes në botë. Ndërsa Shqipëria ujin e pati problemin e saj më të madh mungesë në furnizimin, mungesë në ujitje dhe përmbytje. Dhe kush ka ka, kush nuk ka, s’ka qëndron te dija dhe baza e dijes është shkolla”.

Rama sqaroi se ky projekt garanton zero korrupsion, ndërsa shtoi se sfidë mbetet fuqizimi i dijes.

“Pjesa tjetër e programit lidhet me prodhimet ku qendra e shërbimeve arsimore ka garantuar një korrupsion zero, ku provimet dilnin në pazar shiteshin, bliheshin, por nuk prodhonin në shkallë të gjerë dijen. Ka një hapësirë të madhe për përmirësim e garanci.

Për ne mbetet sfida e dijes, e fuqizimit të njohjes dhe zhvillimit të mëtejshëm në proces të gjithë administrimit të burimeve njerëzore që formohet e fuqizohet në shkollat tona, duke pasur parasysh se sa pak është bërë për t’u dhënë njerëzve, mësuesve drejtuesve mësuesve mundësinë e edukimit në vazhdim”.

Kryeministri theksoi se në këto vite është arritur që të ndahet shkolla nga politika, në kuptimin e votës, por tha se kjo nuk ka ndodhur me emërimet e drejtorëve e nëndrejtorëve.

“E kemi ndarë shkollën nga politika, që nuk janë më në trysni në kuptimin që voto për mua se të heq, por nuk e kemi ndarë nga emërimi i drejtorëve e nëndrejtorëve dhe shkolla e drejtorëve nuk do jetë një institucion, por do jetë një vend ku fondi ka siguruar ekspertizën më të mirë ndërkombëtare, metodologjitë dhe praktikat më të mira të trajnimeve me ekspertët më të mirë të shkollave. Nga Izraeli do të marrim një pjesë të rëndësishme të dijes, sepse është vendi ku te dija ka gjetur të gjithë pasurinë e vet”.

Ai pranoi të metat dhe boshllëqet e sistemit arsimor, por theksoi se ka nisur të përmirësohet nga rrënjët në një sistem të bazuar te dija. Sipas tij nga një sistem i kalbur 5 vite më parë në mënyrën e rekrutimit të mësuesve, në rekrutimin dixhital të tyre.

“Sistemi arsimor ka nisur nga rrënjët, ka shumë shkallë për të përmirësuar ende, ka ende boshllëqe dhe të meta dhe të meta të së shkuarës ,por nuk krahasohen sot shkolla me atë që ishte 5 vjet më parë dhe këtu nisi nga rekrutimi i mësuesve një sistem i kalbur dhe pasoja dramatike në cilësinë e mësimdhënies, si rezultat i digjitalizimi e rekrutimit të mësuesve që rekrutimi i tyre mos të jetë i lidhur me politikën, mos të  jetë një proces që zhvillohet në interes të partive e funksion të kushërinjve, por të jetë i bazuar te dija”.

Ndërsa vuri në dukje klientelizmat e krijuar 5 vite më parë me tekstet shkollore, Kryeministri tha se sot nxënësit nuk janë më pengje të këtyre librave por shkojnë në shkollë me tekste të afirmuar botërisht. Ai premtoi gjithashtu se deri në fund të mandatit tekstet e shkollave nga klasa e parë në të nëntën do të jenë falas.

“5 vite më parë në sistemin tonë shko0llor ishte një situatë dramatike me tekstet e shkollës i ashtuquajtur alterteks kishte krijuar një mal librash shkollorë në funksion te klientelizmit të jashtëzakonshëm që falë angazhimit të ministres së arsimit filloi të pastrohej, duke larguar fillimisht 600 tekste me votë mësuesve si tekste pa cilësi dhe të dëmshme për procesin dhe duke nisur procesin e zëvendësimin me tekstet e Oksfordit e Kembrixhit, të afirmuara botërisht për nivelin e  tyre cilësor dhe sot jam krenar të them se nxënësit shqiptarë nuk janë më pengje të librave të prodhuara me klientelizëm.

Qeveria nga ky vit garantoi këto tekste që janë falas nga e para në të 4, vitin e ardhshëm në klasën e 5 dhe deri në fund të mandatit do të jenë falas nga e para në të 9”.

Sipas kryeministrit fondi 6.2 mln dollarë për të tre programet nuk duhet për të ndërtuar rrugë por për të sjellë dije, çka tregon një vlerë të shtuar më të madhe se financat.

“Këtu vijmë te ndihma e vyer e Fondit Shqiptaro Amerikan, që çka ka sjellë në aspektin e financave nuk tregon vlerën e shtuar që i ka sjellë vendit, sepse financat 6.2 mln dollarë për shkollën e drejtorëve,  CleanScore dhe qendrën e provimeve nuk e tregojnë vlerën e madhe, më shumë se shifra të dijes që sjell fondi përmes këtyre 3 ndërhyrjeve dhe paratë nuk duhen për të ndërtuar mure e rrugë, po duhen për të sjellë këtu dije të sigurt.

Shkolla e drejtorëve është një burim dije që nuk ka të paguar, 6.2 miliard mund t’i gjente edhe qeveria shqiptarëve, por nuk mund të gjente burimin e dijes që sjell ky fond”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!