Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të hënë, 1 qershor, lidhur me debatet dhe kundërshtimet për projektin e investimit në zonën e Zvërnecit.
Gjatë një deklarate publike, kreu i qeverisë mbrojti projektin, duke theksuar ndikimin e tij ekonomik, potencialin për hapjen e mbi 10 mijë vendeve të punës dhe mbështetjen që, sipas tij, do t’i japë bujqësisë vendase përmes bashkëpunimit me fermerët. Rama hodhi poshtë shqetësimet e ngritura nga ambientalistët dhe mediat greke për dëmtimin e mjedisit, duke garantuar se laguna do të rehabilitohet dhe se investimi do të sjellë përmirësime mjedisore në zonë.
Ai theksoi se debati nuk duhet parë si një çështje që lidhet me një kompani të vetme, por me zhvillimin ekonomik dhe të ardhmen e Shqipërisë.
“U shqetësuan gazetat greke se po dëmtohet mjedisi në Zvërnec. Ouu?! E di sa e impaktin prodhimin e përgjithshëm ky investim. Nuk është vetëm vlera që krijohet nga investimi vetë, por ato që vijnë mbrapa. Mbi 10 mijë të punësuar. Bujqësinë si do ta mbështesim?! E dini sa ushqim duhet për këto investime, po ku do ta marrin ata?!
Një nga pjesët e planit është stimulimi dhe lidhja me fermerët, për të dhënë ushqimin bio të fermerëve tanë. E mendoni se çfarë lloj fabrike ndërtohet atje për ekonominë tonë. Laguna është në pikë të hallit, por nuk u intereson ambientalistëve.
Do pastrohet! Do shtohen pemë, rënë, ishuj të vegjël. Është diçka krejt tjetër. Lërini të mbarojnë punën, pastaj gjykoni. Në fund fare ne nuk mund ta lëmë këtë që të bëhet për një kompani hajvanësh që na morën fytyrën si vend. Ky nuk është kompani as për kompaninë dhe as për Shefqet Kastratin, ky është debat për Shqipërinë dhe se çfarë duan nesër. Është kollaj të bësh të kundërtën. Nuk kemi asnjë kundërshtim me ata që protestojnë”, tha Rama.


