Bashkia e Milanos po realizon në Vlorë projektin Acqua Nostra, pjesë e një programi të financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme Italiane, për të ndihmuar në menaxhimin e burimeve ujore dhe shkëmbimin e kompetencave teknike.
Projekti përfshin monitorimin e ujërave të zeza dhe të bardha përmes dronëve dhe satelitëve, vizita në terren dhe trajnime, duke ofruar modele suksesi nga Milano që mund të adaptohen sipas realitetit lokal. Gianfranco Commodaro theksoi se ekspertët italianë janë aty për të kuptuar situatën aktuale dhe për të propozuar praktika të mira, ndërsa vendimet për zbatimin final i takojnë autoriteteve lokale.
Pjesë nga intervista
Artur Nura: Pse në Vlorë?
Gianfranco Commodaro: Sepse Bashkia e Milanos prej shumë vitesh operon në Vlorë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë në kuadër të programeve të bashkëpunimit ndërkombëtar, të financuara nga Ministria e Punëve të Jashtme italiane përmes Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit.
Artur Nura: Në çfarë konsiston ky projekt?
Gianfranco Commodaro: Ky projekt, që quhet “Acqua Nostra”, konsiston në shkëmbimin e kompetencave mes Bashkisë së Milanos dhe partnerëve të sistemit territorial milanez, në këtë rast edhe ARPA Lombardia, MM S.p.A. dhe partnerë të tjerë të territorit, të gjithë të përfshirë në aktivitetet e sistemit Itali, pra brenda një strategjie të përbashkët.
Projekti parashikon asistencë teknike dhe shkëmbim kompetencash mbi menaxhimin e burimeve ujore: kanalizimet, ujin e pijshëm, trajtimin e ujërave të ndotura, si dhe përdorimin e satelitëve dhe dronëve për monitorimin e territorit.
Është një shkëmbim kompetencash dhe një proces krahasimi: ka një pjesë trajnimi, një pjesë vizitash në terren dhe gjithashtu vizita në Milano, ku synohet të transmetohen disa kompetenca. Nga ana tjetër, si në të gjitha projektet e bashkëpunimit, mësohet gjithmonë diçka.
Artur Nura: Pra, po ndiqni hap pas hapi sistemin e ujërave të zeza dhe të bardha në Vlorë?
Gianfranco Commodaro: Po, në këtë rast po ndjekim sistemin e ujërave të zeza dhe të bardha. UKT po na tregon situatën aktuale, të cilën ne nuk e njohim. Duke analizuar situatën, ne paraqesim disa raste suksesi nga Milano që mund të ripërsëriten, tërësisht ose pjesërisht, në varësi të realitetit të Vlorës.
Ne nuk e njohim drejtpërdrejt realitetin e Vlorës: ata po na e tregojnë, dhe pikërisht për këtë jemi këtu. Si rrjedhojë, ne propozojmë dhe ndajmë praktika të mira mbi mënyrën se si në Milano menaxhohet ky shërbim.
Si në të gjitha projektet e bashkëpunimit, ajo që funksionon në Milano nuk zbatohet automatikisht këtu. Megjithatë, ekzistojnë modele ndërhyrjeje që, në varësi të realitetit shqiptar — qoftë në Vlorë, Tiranë apo qytete të tjera — mund të ofrojnë ide apo teknika për t’u zbatuar këtu. Më pas do të jetë kompetencë e bashkisë, e UKT-së apo e aktorëve lokalë përgjegjës në territorin shqiptar të vendosin si të veprojnë.
Artur Nura: A është bashkëpunimi italian i pranishëm drejtpërdrejt në këtë projekt apo delegon kompetencat te institucione të tjera?
Gianfranco Commodaro: Bashkëpunimi italian është i pranishëm në Shqipëri prej shumë vitesh.
Artur Nura: E kam fjalën konkretisht për këtë projekt.
Gianfranco Commodaro: Ky projekt quhet “Acqua Nostra” dhe është pjesë e një financimi të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bashkëpunimit Italian nga viti i kaluar. Në këtë rast, Bashkia e Milanos është institucioni udhëheqës dhe për tre vitet e ardhshme do të operojë përmes këtyre shkëmbimeve të kompetencave.


