TIRANË- Projektet dhe planet zhvillimore të Tiranës u diskutuan sot në studion e emisionit “Bardh a Zi” në ABC News. Sociologu Ergys Mërtiri tha se një ndër problemet e mëdha është se kryeqyteti nuk ka ujë të pijshëm 24 0rë, ndërsa shtoi se projekti i rindërtimit pas tërmetit të 2019, ka hije dyshimi për abuzime.
“Ka shumë pallate në Tiranë, të cilët janë shpallur si të padëmtuara nga tërmeti, por dhe ndërkohë pastaj ka ardhur një vlerësim tjetër që i ka shpallur të pabanueshëm. Këtu i hapet dera abuzimeve”, tha Mërtiri.
Gazetarja Rezarta Delisula, foli në aspektin politik, ndërsa tha se është e dhimbshme kur shikon që vendi nuk ka një opozitë, e cila nuk është në gjendje të përballet dhe të fitojë me një parti që ka disa vjet në pushtet.
“Është për të ardhur keq, që vendi nuk ka një opozitë që të përballojë një parti, e cila ka 8 vjet në pushtet”, tha gazetarja Rezarta Delisula.
Kryetarja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Romina Kuka, tha se Partia Socialiste duket se nuk ka kundërshtarë politikë, ndërsa thotë se ky realitet e ka një kosto.
“Të mendosh se nuk ke kundërshtarë përballë, është një kurth i madh, sepse ajo që ndodh, është squllja. Kur s’ke kundërshtarë përballë s’je i motivuar mjaftueshëm. Kjo nuk është fushatë në gjumë. Sa më shumë rritet standardi, aq më shumë rriten kërkesat. Kthimi i parave sot është më i madh, më i mirë. Kjo do jetë fushatë e thjeshtë dhe s’ka nevojë për famë apo për ngjyra”, tha ajo./abcnews.al