Projektbuxheti në Kuvend/ Balluku: Projekt ambicioz, sjell një ekonomi të qëndrueshme

schedule14:12 - 18 Nëntor, 2024

schedule 14:12 - 18 Nëntor, 2024

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se me buxhetin e vitit 2025, do të nisin, por edhe përfundojnë projekte ambicioze në infrastrukturë.

Në fjalën e saj në Kuvend, Balluku u shpreh se këto projekte do të sjellin një ekonomi të qëndrueshme.

“Tashmë, ne jemi në fazën e re të implementimit të projekteve strategjike. Këto projekte zhvillimore janë të mirëhartuara, të ndërlidhjura me njëri-tjetrin. Korridori 8 dhe korridori blu, me një mbështetje, nuk janë thjesht autostrada të shpejtësisë së lartë, por edhe lidhëse. Kemi zgjerimin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë, parashikohet ndërtimi i segmentit nga Bypass i Elbasanit në Lekaj të Rrogozhinës. Pjesë e këtij buxheti është edhe Bypass i Elbasanit, ashtu siç është edhe Bypass i Tiranës. Pjesë e korridorit 8 janë edhe linjat e intekonjeksionit. Së shpejti do të çelim garën për aksin Milot-Balldren, kemi duke përfunduar negociatat për 3 akse të tjera”, theksoi ajo.

Fjala e plotë:

Projektbuxheti i vitit 2025 që kemi paraqitur në Kuvend është një projektbuxhet ambicioz, i cili mbështet dhe stimulon në mënyrën më të mirë të mundshme zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm, atë social, në të cilën vendi ynë ka hyrë gjatë këtyre viteve. Mbështet vazhdimësinë e reformave të thella që kemi ndërmarrë në gjithë sektorët drejt përmbushjes së vizionit tonë strategjik, Shqipëria 2030.

Gjatë punës profesionale dhe angazhimit serioz, sigurisht ne kemi bërë gjithçka për të ardhur sot në këtë Kuvend me një projektbuxhet të konsoliduar, të bazuar mbi strategjitë sektoriale për të çuar përpara projektet ekzistuese dhe nisur projekte të reja me perspektivë zhvilluese për Shqipërinë.
Projektbuxheti 2025 i akordon Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë një buxhet total në vlerën 74 miliardë lekë, nga të cilat shpenzime korrente janë në vlerën 6.7 miliardë lekë dhe shpenzimet kapitale në vlerën 67. 38 miliardë lekë duke pasur një rritje të tavaneve buxhetore krahasuar me vitin 2024 me 13%. Ky projektbuxhet ka një sinergji mes sektorëve të infrastrukturës dhe energjisë, inovacionit dhe digjitalizimit dhe nxit më së miri ndërlidhjen dhe zhvillimin rajonal, si një nga çelësat e suksesit për zhvillimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor.

Ajo që vlen të theksohet është se tashmë ne jemi në një fazë të re të implementimit të projekteve strategjike të cilat kanë rrjedhur përmes garave ndërkombëtare dhe bashkëpunimeve të shkëlqyera me kompanitë më në zë europiane. Këto projekte nuk janë më të veçuara apo të bazuara në studime sipërfaqësore, siç ka ndodhur në të shkuarën, dhe çka na ka krijuar jo pak probleme në zbatimin e tyre. Tashmë projektet tona zhvillimore janë të mirëhartuara, të programuara me detaje dhe çfarë është më e rëndësishmja të ndërlidhura me njëri-tjetrin, duke kontribuar kështu në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe në ndërlidhjen rajonale, që është edhe një nga nxisit më kryesorë të ekonomisë e në të njëjtën kohë një ndër synimet kryesore të Bashkimit Evropian.

Korridori VIII dhe Korridori Blu, si dy nga projektet më madhore dhe strategjike të qeverisë shqiptare, me një mbështetje të rëndësishme në projektbuxhetin 2025, nuk janë thjesht dhe vetëm autostradat e shpejtësisë lart, por janë korridore ndërlidhëse që përfshinë transportin rrugor, atë hekurudhor dhe padyshim gjithashtu linjat energjetike dhe ato digjitale, duke i kthyer kështu të gjitha bashkë në Korridoret më të rëndësishme Paneuropiane. Pjesët e Korridorit VIII në këtë projektbuxhet janë, zgjerimi i rrugës Elbasan – Qafë Thanë, ku kantieret në të tetë fazat e këtij projekti janë në proces pune dhe kanë ecuri të qëndrueshme, por gjithashtu parashikohet ndërtimi i segmentit nga bypass-i i Elbasanit në drejtim të Lekaj (Rrogozhinë), një segment totalisht i ri, një gjurmë e re që do ti përgjigjet parametrave të kategorive A të infrastrukturës europiane dhe gjithashtu pjesë e këtij buxheti është edhe bypassi-i i Elbasanit, i cili është parashikuar në projektet e reja të mbështetura nga financimi i huaj. Ashtu siç është edhe bypass-i i Tiranës.

Si pjesë e Korridorit VIII multimodal, transporti hekurudhor është një komponent i rëndësishëm, ku tashmë ne kemi siguruar mbështetje financiare për projektin e rehabilitimit të linjës hekurudhore Durrës-Rrogozhinë gjithashtu, e madje jemi në diskutime me bankat europiane për të përfshirë në këtë projekt edhe lidhjen hekurudhore nga porti i ri i Durrësit në Porto-Romano deri në lidhjen me hekurudhën Tiranë-Durrës ose stacionin e Sukthit. Me ndërtimin e portit të ri në Porto-Romano kërkesa kryesore do të jetë transporti hekurudhor, duke pasur parasysh që të gjitha mallrat të cilat vijnë përmes transportit detar kanë fizibilitet më të lartë kur shpërndahen përmes transportit hekurudhor, duke qenë nga ana financiare më efiçent, por nga ana tjetër edhe më miqësor me mjedisin.
Po ashtu, pjesë e padiskutueshme e Korridorit VIII janë të linjat e interkoneksionit për shkëmbimet ndërkufitare të energjisë. Tashmë kemi në zbatim ndërtimin e linjës 400 kilovolt Shqipëri-Maqedoni, e cila kalon nga Fieri, Elbasani, Qafë Thana për të kaluar më pas në Bitola.

Në Korridorin Blu, pasi hapëm për qarkullimin e mjeteve aksin Kashar-Thumanë, i cili tashmë është funksional dhe ka shkurtuar në mënyrë të ndjeshme distancën mes kryeqytetit dhe veriut të vendit, jemi gati të çelim garën ndërkombëtare për segmentin tjetër të rëndësishëm të këtij Korridori, ai Milot-Balldren dhe ndërkohë jemi duke mbyllur negociatën dhe firmosjen e kontratave për tre akset e tjera, Kashar-Lekaj, Lekaj-Fier dhe Milot-Thumanë.
Pjesë e këtij Korridori do të jetë dhe linja hekurudhore Vorë- Hani Hotit e cila do të rehabilitohet plotësisht. Ky është një projekt me gjatësi 120 kilometra dhe që përfshin 12 stacione. Parashikohet një rikonstruksion i plotë i linjës hekurudhore dhe i këtyre stacioneve, duke e lidhur kështu Shqipërinë edhe me Korridorin Europian X. Është një nga projektet më të mëdha, me një vlerë investimi prej 367 milionë eurosh, nga të cilat 153 milionë euro përfshihen në formën e grantit nga Bashkimi Europian.

Ndërkohë, projektbuxheti 2025 pasqyron dhe një shtrirje të balancuar gjeografike të investimeve dhe projekteve të reja nga veriu në jug, nga lindja në perëndim, duke i dhënë jetë kantiereve në të katër anët e vendit dhe duke i dhënë përgjigje një herë e mirë retorikës dezinformuese se Qeveria Rama ka vëmendje të veçantë në Jug. Një e pavërtetë që merr përgjigje nga investimet e lartpërmendura e nga dhjetëra projekte të tjera të rëndësishme në Lezhë, Shkodër, Bulqizë, Dibër e gjetkë në Veri.

Ndër investimet dhe projektet në infrastrukturën rrugore do të doja që të përmendja disa prej tyre, sigurisht janë shumë, por po marr shkas nga investimet në veri dhe po marr shkas nga disa gjëra që u thanë sot këtu. Rruga e Arbrit, e cila padyshim ka pasur problematika gjeologjike, pasi ne jemi transparentë dhe i ndajmë të gjitha me publikun, tuneli Murrizi do të jetë një nga veprat inxhinierike më të ndërlikuara në Europë, që sot po përdoret dhe nga universitetet si një rast për studim, shumë shpejt do të jetë në përdorim të qytetarëve, por është vetëm tuneli Murizi, i cili nuk është dorëzuar akoma dhe afati i tij, pavarësisht se është shtyrë për pranverën e vitit 2025, ne shpresojmë që do të jetë funksional brenda këtij viti, por nga ana tjetër, sot në Dibër shkohet për një orë e gjysmë ndryshe nga gjashtë orët që shkohej në kohën e rrugëve fantastike, qindra, mijëra kilometrave të shtruara, imagjinare sigurisht.

Patjetër, që do përmendja dhe urën e Cerenecit që lidh Peshkopinë apo zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës, aksit më të rëndësishëm industrial të vendit tonë i cili do të marrë nga një korsi në secilin krahë, plus edhe një korsi në secilin krah për emergjencat. Gjithashtu, rehabilitimi i rrugës Kombinat-Ndroq-Plepa, si një nga rrugët që prek disa njësi të rëndësishme të bujqësisë apo dhe të agroturizmit.
Pastaj për të kaluar në bypass-in e Sarandës, një vepër e cila ka ardhur si nevojë e shtimit të numrit të turistëve dhe të kërkesave që bashkia e Sarandës ka. Rruga Qafë Bullait-Martanesh, një zonë sa e rëndësishme ekonomike përsa i përket minierave që ndodhen në atë zonë, por edhe turistike tashmë. Rehabilitimi i rrugës Fier-Patos-Fratar, një tjetër rrugë e rëndësishme, pasi duhet të ketë edhe rrugë të tjera alternative Korridori i Blu.

Nga ana tjetër, do të vazhdoja me një sërë e sërë projektesh të tjera, të cilat përfshihen në buxhetin 2025, por siç e tha edhe parafolësja, do të kemi mundësi besoj që gjatë këtyre ditëve të diskutojmë për shumë nga projektet, qofshin këto në energji apo qofshin këto në infrastrukturë apo edhe për rindërtimin, kur deri më tash kemi dorëzuar mbi 77 mijë njësi për të akomoduar të gjithë ata që u goditën nga tërmeti i vitit 2019.
Ndërkohë, në respekt të kohës, dhe duke mos lënë me një anë edhe sektorin e rëndësishëm të ujësjelljes-kanalizimeve, kam ndarë nëpër Komisione me kolegët deputetë dhe shpresoj që të jenë ndjekur edhe nga qytetarët e interesuar, se edhe këto projekte shtrihen në të katër anët e vendit, nga veriu në jug dhe nga Lindja në Perëndim, por mbi të gjitha çka është e rëndësishme, duhet të themi që efektet e reformës që kemi ndërmarrë nga viti 2021 tashmë janë të prekshme duke sjellë shëndoshjen e financave të këtij sektori.
Do ta mbyll këtu, kryetare, shumë faleminderit. Megjithëse kisha shumë gjëra tjera për të thënë, dhe jam e sigurt se do kemi mundësi të komunikojmë gjatë dy ditëve në vazhdim.
Faleminderit!/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!