Prej disa orësh, Kuvendi ka nisur seancën plenare për projektbuxhetin e vitit 2026, ku Rama në fjalën e tij përmendi shtyllat kryesore: rritjen e pagës minimale, pensioneve, indeksimin e pagave dhe rritjen e tyre sipas vjetërsisë në punë.
Ekspertja për ekonominë Teuta Nunaj tha për ‘Money Report’ se kur kemi një buxhet më të lartë, flitet edhe për një rritje ekonomike. Nunaj tha se qytetarët kanë nevoja të shumta ndaj ky buxhet nuk mund të quhet social. Sipas saj, për herë të parë ky buxhet ‘po vepron’ sepse ka një mbështetje të ndjeshme për qytetarët.
“Kur flitet për një buxhet më të lartë, duhet të ketë rritje ekonomike dhe të ardhura publike nga taksapaguesit kështu rriten dhe të ardhurat. Rritja e të ardhurave është element pozitiv por i pamjaftueshëm për nevojat që kanë qytetarët. Nuk kemi të bëjmë me një buxhet social, përsa kohë s’kemi të bëjmë me një shtet social sepse të adhurat nga shteti janë nën një vlere minimum jetik.
Është një buxhet që për herë të parë po vepron duke pasur rritje të mbështetjes ndaj pensionistëve, po bëhet një indeksim të pagave dhe kemi një rritje të vëmendjes. Nevojat janë të mëdha, dhe ndaj nuk kemi të bëjmë me një buxhet social.
Mbështet punonjësit dhe përvojën që është element pozitiv që nëse ke kaluar shumë kohë në punë duhet të kthehet me rritje të performancës tënde. Ky është një element pozitiv që e mban administratën edhe më të qëndrueshme. Nëse do kemi tërë kohën punonjës të rinj, do trajnohen dhe ka nevojë për kosto shtesë.” / abcnews.al /

