Programi për Durrësin/ Emiriana Sako: Në fokus infrastruktura e qytetit, porti dhe amfiteatri

schedule17:20 - 21 Prill, 2023

schedule 17:20 - 21 Prill, 2023

Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, e cila garon për një tjetër mandat në zgjedhjet e 14 majit, deklaroi se programi i saj për 4-vjeçarin e ardhshëm bazohet në 12 shtylla.

Në një intervistë për ABC News, Sako u shpreh se në fokus do të jetë infrastruktura e qytetit, porti dhe amfiteatri.

Sipas Sakos, bashkia e Durrësit ka projekte madhore me qeverinë, që do të realizohen gjatë mandatit të ardhshëm.

“Programi që kemi parashikuar për mandatin që vjen, bazohet në 12 shtylla kryesore të zhvillimit, që mund t’i grupojmë në turizëm, zhvillim urban, urbanistikë, infrastrukturë, shërbime sociale dhe sektori i bujqësisë. Sa i takon të gjitha këtyre shtyllave, në zhvillimin urban do të kemi prioritet adresimin e problematikave që ka qyteti i Durrësit sot me trafikun dhe shtimin e numrit të popullsisë sidomos gjatë sezonit turistik. Kemi parashikuar që të realizojmë propjekte madhore të cilat do t’i shërbejnë qytetit, do të realizohen gjatë mandatit të ardhshëm.

Ne kemi projekte madhore me qeverinë shqiptare, që janë Marina dhe porti i Porto Romanos, projekti i madh i stadiumit, projektet në infrastrukturën hekurudhore që tashmë ka nisur në qytetin e Durrësit, projekti i madh i amfiteatrit për rehabilitimin e plotë të arenës së tij. Sigurisht, një rëndësi të madhe ka edhe vijimi i punëve që ne kemi nisur, qoftë me programin e rindërtimit, qoftë me infrastrukturën arsimore, por edhe sektorë të tjerë që i kemi prekur me parashikimet që i bëjmë me 4-vjeçarin që na pret”. theksoi ajo./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!