Një ditë pas hapjes së fushatës, Partia Demokratike shpalosi programin elektoral në një tubim që u mbajt në Pallatin e Kongreseve pasditen e kësaj të shtune.
Pas një klipi që shfaqte Berishën si Trampist dhe Ramën si Sorosist, në skenë u ngjit LaÇivita. Ai tha se programi i demokratëve është i ngjashëm atë të presidentëve Regan dhe Trump.
“Kemi Dr. Berishën, një mik të vërtetë për familjet shqiptare. Ai ka një program të vërtetë për të ulur koston e jetesës për familjet shqiptare dhe një plan të mirëfilltë konservator, ashtu si Presidentët Ronald Reagan dhe Donald Trump.”
Por kryedemokrati Sali Berisha tha se programin e ka bërë vetë tre vite më parë. Ai foli për minimum jetik 200 euro dhe premtoi që nëse vjen në pushtet, pas 100 ditësh së qeverisjes së tij nuk do të ketë të varfër.
“Nuk e kopjuam programin elektoral, punuam për të për 3 vite. Nuk kthehem për post, por për të tejkaluar arritjet e qeverive Berisha 1 dhe Berisha 2”.
“Kemi vendosur 100 ditët e para, në Shqipëri përjashtohet varfëria ekstreme. Asnjë shqiptar nuk mund të ketë më pak se 200 euro në muaj. Studentët, të papunët, njerëzit me ndihmë ekonmomike, jetimët. Të gjithë këta, do kenë 200 euro në muaj.”
Nuk harroi të shigjetonte as kundërshtarët e tij, të cilët i akuzon se i kanë kopjuar programin.
“Një projekt aq i mirë, sa edhe PS, e cila qeverisi 12 vite me mashtrime me vjedhje, u kthye ta vlerësojë, të vjedhë dhe ta kopjojë. Ndonëse kundërshtarët politikë, Edi Rama e pranoi se nuk ka projekt, apo më mirë të themi, projekti i tij është vetëm dora për të vjedhur.”