Kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Akil Kraja thotë se kjo forcë politike synon të çlirojë ekonominë, me programin e saj.
Në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, Kraja u shpreh se me ardhjen në pushtet të PD, do të ketë një ndërhyrje 360 gradë në ekonomi.
“Çlirim të ekonomisë dhe kur themi çlirim të ekonomisë, e kemi fjalën si për buxhetin familjar, nuk do të ketë asnjë pension nën 200 euro, si për zonat rurale dhe ato urbane. Paga minimale nuk do të jetë nën 500 euro, mesatarja do të jetë tek 1200 euro. Ndërkohë, për biznesin, taksë e sheshtë 10 përqind, për sipërmarrësit që vijnë nga diaspora për 5 vite, përjashtim nga taksat, apo edhe elementë të tjerë, siç mund të jetë, ulja në nivelin dy përqind të taksës së shitjes së pronës, nga 15 përqind që është aktualist. Pra, objektivi është fare i qartë, të çojmë ekonominë, si për konsumatorët, ku do të fusim edhe një risi, karta e konsumatorit, në mënyrë që të ketë edhe një rimbursim, një fuqizim të fuqisë blerëse të familjeve, por edhe për sipërmarrjet. Për shembull, ulja e çmimit të energjisë për bizneset, në mënyrë që edhe energjia, të mos jemi siç është aktualisht, por të jetë diçka që e ndihmon biznesin në terma të kostove të të përditshmes. Termat e subvencionimeve, sot Shqipëria, në veçanti në sektorin e bujqësisë, vuan nga një bllokim të fondeve të subvencionuara nga BE, ato janë të bllokuara për arsye të abuzimeve.
Ne kërkojmë që këto fonde jo vetëm të çlirohen, por të dyfishohen, me qëllim, që të arrijmë 1 miliard euro eksporte në sektorin e bujqësisë. Gjithashtu, në këtë drejtim, do të rishikojmë kontratat koncensionare, PPP, të ketë masa aty ku ka shkelje të ligjit, në mënyrë që buxheti i shtetit të rimbursohet në mënyrë efikase. Është ndërhyrje 360 gradë, e cila kërkon realisht të revlucionarizojë ekonominë e vendit, në mënyrë që të orientohet drejt një ekonomie prodhimi, drejt një ekonomie që promovon “Made in Albania”. Për eksportuesit, për shembull, ne parashikojmë krijimin e një organi, që do të kompensojë diferencën e çmimit të eksortit, euro ka rënë në nivel të tmerrshëm. Janë të shumta ndërhyrjet tona”, theksoi ai./abcnews.al