Në turin e vizitave të tij në Qarkun e Fierit, kryeministri Edi Rama u ndal në Libofshë për të diskutuar për programin kombëtar “100 fshatrat”, duke theksuar se investimi në agroturizëm sjell të ardhura në buxhetin e çdo familje.
Kryeministri Rama zhvilloi ndalesën e radhës në Libofshë të Fierit për të diskutuar mbi Programin Kombëtar “100 fshatrat”. Sipas Ramës vendi ka më shumë se 100 fshatra dhe është me mjaft rëndësi për të transformuar një potencial të fjetur në burim të ardhurash për çdo familje.
“Është me shumë rëndësi të thuhet që në fillim se patjetër që Shqipëria ka shumë më tepër se 100 fshatra, por Programi Kombëtar i 100 fshatrave, synon jo thjesht ndërhyrjen konkrete në këto 100 fshatra, ku përfshihet edhe Libofsha, por edhe krijimin e modeleve që ne kemi shumë besim se, pasi të marrin formë në këto 100 fshatra do të shpërndahen me shpejtësi edhe rreth tyre, edhe në të gjithë hapësirën, duke dhënë shembujt e nevojshëm për se si mund të transformohet një potencial i fjetur në një burim rritjeje të ekonomisë familjare”.
Më tej kryeministri Rama në fjalën e tij para banorëve të Libofshës tha se modeli 100 fshatrat shërben si një model zhvillimi ekonomik dhe social.
“Modeli i 100 fshatrave është një model zhvillimi ekonomik dhe social dhe ndërhyrjet që do të bëjmë në funksion të zhvillimit të këtij modeli, synojnë jo thjesht transformimin e infrastrukturës apo investimet në rrugë siç është bërë vijimësisht zakon dhe siç është edhe nevoja për hir të së vërtetës, por nxitjen e iniciativës për të kaluar në një fazë të re të zhvillimit”.
Ka ardhur koha që të hedhim sytë nga agroturizmi duke ngritur një sistem bujtinash moderne në të gjithë vendin, shtoi Rama.
“Është koha për të menduar për agroturizmin sepse këtu nuk është thjeshtë një territor ku mbillet dhe korret me shumë sukses për hir të së vërtetës, por është një territor ku natyra i ka të gjithë komponentët dhe trashëgimia kulturore dhe historike janë një pjesë plotësuese e këtyre komponentëve për të ndërtuar një sistem agroturizmi dhe për të transformuar në bujtina, shtëpi, që mund të kthehen në burim të ardhurash”.
Në përmbyllje të fjalës së tij, kryeministri theksoi se edhe vendi ynë duhet të veprojë siç kanë vepruar vendet fqinje, si Italia për të përparuar në agroturizëm dhe për të stimuluar zhvillimin e tij./abcnews.al