Program zhvillimi 2023-2027, Rama: Kemi marrë nga Banka Botërore 900 mln dollarë, kemi hyrë në një fazë të re ekonomike

schedule10:26 - 4 Prill, 2023

schedule 10:26 - 4 Prill, 2023

Kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët me përfaqësuesin e Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas, bëri me dije se vendi ynë ka marrë në dispozicion 900 milion dollarë për një program zhvillimi, për periudhën 2023-2027.

Rama tha se tanimë ne kemi hyrë në një fazë të re në jetën ekonomike dhe sociale të vendit dhe janë hedhur bazat e nevojshme për kapërcimin e objektivit “Shqipëri 2030″.

Ai dha edhe disa shifra që kishin të bënin me të ardhurat për banorë apo edhe rritjen e eksporteve, turizmit dhe fushave të tjera krahasuar me vitin 2013 apo edhe atë 2019.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Ky është një komunikim shumë i veçantë sepse lidhet me një proces jo të lehtë edhe të gjatë bashkëbisedimi dhe negocimi me Bankën Botërore për të përcaktuar kornizën e re të partneritetit që është faktikisht programi i ri i zhvillimit me mbështetjen e BB për periudhën 2023-2027 për të cilën kemi marrë në dispozicion 900 milionë dollarë dhe të cilat do të shpërndahen sipas një sërë pikash.

Por ajo që dua të them para se t’i jap fjalën Drejtorit të Bankës këtu në Tiranë, është se jemi në kushtet e një faze të re në jetën ekonomike dhe sociale të vendit dhe kemi hedhur të gjitha bazat e nevojshme për të bërë një kapërcim tjetër, në funksion të objektivave tona të shpallura për vizionin “Shqipëria 2030’’.

Dhe do t’ju jap vetëm shumë pak shifra për të ilustruar çka thashë: mbani parasysh që të ardhurat për banorë në vit në Shqipëri janë rritur nga 3300 euro kur ne morën detyrën, në 6190 euro sot. 87.5 %, gati dyfish. E për të mos bërë krahasime të tjera me kur morëm detyrën, po bëjmë krahasime vetëm me veten dhe me vitin përpara krizës së madhe të pandemisë dhe gjithë atyre që pasuan.

Eksportet në Shqipëri, në vitin 2022 kanë arritur shifrën rekord 4.1 miliardë euro.  Pra kjo Shqipëria që s’ka punë, ku të gjithë ikin, që ka vetëm pleq, ka eksportuar 4.1 miliardë euro në 2022 , 57% më shumë sesa 2019, falë pikërisht punës dhe njerëzve të punës dhe falë konkretizimit të të gjithë atyre përpjekjeve që ne kemi bërë në mbështetje të sipërmarrjes dhe për të hapur rrugë të reja për njerëzit që prodhojnë dhe që eksportojnë.

Vetëm eksportet bujqësore janë rritur me 59%, krahasuar me 2019 dhe kanë prekur shifrën rekord të gjysmë miliardi dollar.

Eksportet e tekstileve dhe të këpucëve, dhe ato kanë arritur një shifër rekord, 1.15 miliardë.

Të ardhurat vjetore nga turistët e huaj në 2022 janë 2.84 miliardë euro, 36% më shumë sesa në 2019, ndërkohë që numri i turistëve preku 7.5 milionë.

Rritja e të ardhurave dy herë më shumë sesa numri i vizitorëve dhe kjo është shumë e rëndësishme. Pra vizitorët janë rritur me 36%, të ardhurat  nga vizitorët janë rritur dy herë, që tregon se është rritur numri i ditëve të qëndrimit dhe është rritur konsumi i tyre në Shqipëri.

Të ardhura vjetore nga eksporti i shërbimeve në IT, teknologji të lartë në 2022, eksport shërbimesh 156 milionë euro.

62% krahasuar me vitin 2019. Dhe e fundit, investime e huaja direkte, ne vitin 2022 janë rritur 29 % krahasuar me vitin 2019, 1.37 miliardë që është shifra më e lartë e arritur ndonjëherë me diferencë.

Rritja ekonomike pastaj në shifra, ju e dini, sepse e keni dhënë, dhe në fund dua të falënderoj edhe një herë Bankën Botërore për gjithë mbështetjen e saj në të gjitha vitet, por në mënyrë të posaçme dua ta falënderoj për këtë proces që kemi kurorëzuar tani. Në memorien time është procesi më i dialoguar, është procesi më i thelluar në çdo sektor dhe në çdo detaj dhe është procesi më jo konvencional që kemi bërë për të adresuar realisht të gjitha ato pika të organizmit, të vendit, dhe të jetës sociale dhe ekonomike të vendit që do të stimulojnë energji të reja zhvilluese.

Në fund të vitit 2019, në Shqipëri operonin 4270 ndërmarrje me kapital 100 % të huaj.

Në fund të vitit 2021 kanë operuar 5250 dhe në vetëm dy vite, pa hyrë në nga vijnë këto ndërmarrje, për të mos iu marrë më shumë kohë, po ia jap fjalën drejtorit të Zyrës së BB në Tiranë dhe me këtë rast falënderoj të gjithë stafin e Bankës Botërore këtu në Tiranë, shqiptarë dhe të huaj sepse realisht kanë qenë shumë aktivë dhe na kanë ndihmuar shumë edhe me sugjerimet, edhe me rezervat që kanë pasur në proces, edhe me kundërshtitë, derisa kemi arritur të kemi një kornizë për të cilën drejtori do të japë shpjegime më të qenësishme.r.t/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!